Presidenti i PSG-së, Naser Al-Khelaifi, dhe numri 2 i FIFA-s, Zherom Valke, janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Zvicrës në lidhje me hetimin që po bëhet për një çështje korruptive në dhënien e të drejtës televizive për Botërorin e futbollit. Nga ata që po e kryejnë këtë hetim në Zvicër është thënë se gjithçka është në fazën finale. Bëhet fjalë për një hetim të çelur që në mars të vitit 2017.
Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së dhe administratori i grupit televiziv “Qatar beIN Media”, dyshohet se i ka ofruar favore të mëdha francezit Valke, – duke përfshirë edhe shfrytëzimin gratis të një prone luksi që ai ka në Sardenjë, – në këmbim të së drejtës televizive për Botërorët që nga periudha 2018 e deri në 2030-ën. Valke është përfshirë edhe në një rast tjetër korrupsioni, që i ka kushtuar një pezullim prej 10 vjetësh nga organet gjyqësore të brendëshme të FIFA-s.
Ka edhe një të dyshuar të tretë në këtë çështje, por emri i tij nuk bëhet i ditur. Në hetim ai përshkruhet si një “biznesmen në sektorin e të drejtave sportive”. Edhe ai akuzohet se ka paguar për të siguruar të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Botërorëve. Që të tre këta persona janë marrë në pyetje nga Prokuroria në Bernë, por për momentin nuk ka detaje të tjera dhe duhet pritur përfundimi i hetimit për të mësuar, nëse do të ketë dënim edhe presidentin e PSG-së, apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.