Muzike

Katër i Radës ankorohet në Tiranë. Në bord si soprano edhe Hersi Matmuja

Suadela Balliu/ Romë-Venecia-Shkodër-Prishtinë-Tiranë. Është ky itinerari muzikor, thuajse pa asnjë shkëputje,  i ditëve të fundit të këngëtares Hersi Matmuja. Ka mbërritur një natë përpara vënies në skenë të operës “Katër i Radës” në Amfiteatrin e Liqenit Artificial të Tiranës dhe ndërsa buzëqesh, thotë se ka aq pak kohë edhe aq shumë njerëz që dëshiron t’i takojë.Kthehet për publikun shqiptar pas katër vitesh dhe “për herë të parë do të më shohin të këndoj opera”, thotë, “sepse më kanë parë deri tani vetëm në skenën e festivaleve të RTSh-së”.

Një ditë më parë së bashku me Teatrin “Koreja” ishin në Prishtinë, në teatrin “Oda”, ndërsa më 6 shtator e çuan tragjedinë e të mbyturve të Otrantos, tek publiku shkodran në teatrin “Migjeni”. Në  kryeqytetin shqiptar, Katëri do të kalojë simbolikisht përmes rrugës “Alessandro Leogrande”, autorit të libretit,  i ndarë nga jeta në nëntor të vitit të  kaluar dhe  i përkujtuar në një sërë aktivitetesh gjatë javës që shkoi, në Shqipëri, ku edhe një rrugë e parkut të Liqenit Artificial, mori emrin në nder të tij.

Hersi Matmuja (djathtas) në një prej performancave me operan "Katëri i Radës".

“Prej vitit 2016, bëj pjesë në Teatrin Koreja dhe interpretoj me operan “Katëri  i Radës”, rrëfen Matmuja, ndërsa zbulon historinë sesi  u njoh me kompozitorin e operas, Admir Shkudraj, muzikantin shqiptar,  i cili prej vitesh e ka bazuar karrierën artistike në Lecce, të Italisë.    “Ishte një e njohur e përbashkët, e cila më kishte dëgjuar në një koncert të realizuar në Konservator, ku këndova dy pjesë shqiptare. Në bisedë e sipër, një ditë, Admiri  i kishte shprehur shqetësimin se  i duhej një zë sopranoje për “Katërin e Radës”. Ajo kujtohet për performancën dhe i sugjeron emrin tim.”

Matmuja dhe kompozitori Admir Shkurtaj.

Thotë se pranoi jo menjëherë, por  pas pesëdhjetë minutave frymëmarrëse ndërsa dëgjonte operan, të regjistruar, për të kuptuar nëse mund ta arrinte vokalisht. “Krijimtaria e Admirit është shumë e vështirë nga ana e praktikës muzikore. Por, kur zbulon pjesën emocionale, të kërkon shumë zemër, thellësi. Nuk është asnjëherë  e sipërfaqshme muzika e tij.”Tregon se provat e para  i kryen përmes Skype-it. “Ishin pesëmbëdhjetë ditë prova”, kujton këngëtarja, “kështu u njohëm fillimisht me Admirin, pasi unë jetoj në Romë dhe ai në Lecce”. Fakti  që gjysma e operës këndohej në shqip, disi ia lehtësonte punën.

“Tani është një shembull, një  mentor. E shoh si një gjeni dhe një njeri për t’u marrë shembull, sepse ka një përulësi kundrejt muzikës dhe punës, që vetëm të mëdhenjtë e kanë; ata që ia dinë vlerën jetës, marrëdhënies me njerëzit.” E quan çarmatosëse muzikën e kompozitorit Shkurtaj, ndërsa kujton se pas çdo vënieje në skenë, kudo ku ka ndodhur, njerëzit kanë dalë të shkundur prej emocioneve.“Kur e vumë në skenë dhjetorin e kaluar, në Lecce, një muzikante koreane që kishte ardhur për ta ndjekur u afrua dhe nuk ishte në gjendje të fliste. Aq e tronditur ishte. Njerëzit na thonë: Nuk di në kemi ftohtë a ngrohtë! Nuk dimë a të qajmë a të flasim?!

Kompozitori Shkurtaj mori libretin e shkrimtarit dhe gazetarit Alessandro Leogrande, të titulluar në italisht “Il naufrago” dhe tragjedinë e atyre burrave, grave dhe fëmijëve që lundronin mbi një anije të vogël e të tejmbushur në marsin e ftohtë dhe të hidhur të 1997-ës, ndërsa në Shqipëri qielli nxinte prej luftës civile, e ktheu në një përpjekje për të çliruar universin njerëzor të atyre që përjetuan njërën nga shumë tragjeditë e Mesdheut,  i cili ende vijon të gllabërojë në gjirin e vet jetë emigrantësh që rreken t’i ikin dëshpërimit.

Nga opera Katëri i Radës. 

Për sopranon  është e rëndësishme, që gjatë shfaqjes, të sjellë dhe përcjellë emocionin tek njerëzit. “Arti, mendoj unë, e ka gjithmonë të vërtetën me vete. Ndaj thonë se artistët janë të lidhur me fill të padukshëm me botën shpirtërore”, shton Matmuja. Keqardhja e vetme është se përse njerëzit sot nuk ia lejojnë vetes të ndalen, të ulen e të shijojnë shtruar një vepër të mirë arti.

Thotë se me muzikën e Admir Shkurtaj ka gjetur veten. “Është një shembull për mua dhe përtej pjesës afektive, po më ndihmon të rritem profesionalisht. Të  gjesh muzikantë të tillë, që të japin tjetër anë thelbësore të medaljes së muzikës në këto kohë kaq sipërfaqësore, nuk është aspak e lehtë.”Shton se problemi  i shumë kompozitorëve bashkëkohorë të muzikës klasike, është se shkruajnë muzikë pa u shqetësuar nëse do të vihet në skenë dhe a do ekzekutohet për publikun. “Kjo e largon muzikën nga njerëzit.  Muzika duhet të depërtojë. Këtë bën Admiri; është konciz në gjithçka dhe godet në zemër.” – thotë ndërsa nis të rrëfejë përvojën e para pak ditëve në Festivalin e Filmit në Venecia, ku së bashku me kompozitorin Admir Shkurtaj dhe Ansamblin “Mesimèr”, gjatë mbrëmjes së parapremierës së  shfaqjes më të madhe të kinematografisë, organizuar nga Bienalja e Venecias, performuan live kolonën zanore të filmit  të vjetër, pa zë, “Der Golem”,  i regjisorit gjerman Paul Weneger,  i zgjedhur pikërisht për të çelur edicionin e 75-të të festivalit ndërkombëtar të filmit.

Ansambli “Mesimèr”, në Festivalin e Filmit në Venecia

“Golem më ndriçoi, më vuri në dyshim dhe thuajse më shkatërroi për të më rilindur më të fortë. Golem më shpëtoi edhe mua”, do të shkruante Hersi në facebook-un e saj, pas përvojës unike, ku për një orë e gjysmë, publiku në sallën "Darsena"  që përbëhej nga kineastë, aktorë, regjisorë, skenaristë dhe muzikantë dëgjuan sesi instrumentet, vokali dhe arkitektura muzikore e ngritur prej kompozitorit,  i cili gjithashtu luajti në fizarmonikë,  i dhanë filmit zë dhe fuqi për të depërtuar edhe në kohë të tjera, shumë të largëta prej vitit kur filmi, tashmë i restauruar,  u shfaq për herë të parë.

Ansambli Mesimèr interpreton live për një orë e gjysmë, aq sa edhe zgjat filmi "Golem".

E quan një prej mbrëmjeve më të paharrueshme të jetës, atë të 28 gushtit në Venecia. “Muzika e Admirit më bën të prek horizonte të reja, që nuk  i kam  menduar se do  i prekja. Zemra e muzikës është çarmatosëse, përpara saj nuk ke shpëtim, u dorëzohesh atyre dallgëve të emocionit,  që e di se nuk  i ke provuar kurrë.” –mendon këngëtarja, ndërsa përvojën me Ansamblin Mesimèr, e quan histori dashurie.

Dimensionin e ri ku e çon muzika e Shkurtajt, që me fjalët e Hersi Matmujës është uragan që bashkon botë për të krijuar muzikë,  ku mbretëron dashuria dhe zemra, do të donte ta provonte sërish në Festivalin e Këngës në RTSh, në të cilin  më 2014-ën  u shpall fituese e çmimit të parë. “Doja t’i kthehesha këtë vit festivalit me një kompozim nga Admiri, por ai nuk kishte mundësi,  pasi po merrej me ngjarjen e Venecias. Mbase nuk do e besosh, por do pëlqeja të isha në festival; është skenë me shumë emocione. Nëse me dridhen gjunjët, kjo ndodh vetëm në festivalin e RTSh-së”, thotë ajo, ndërsa kujton edhe pjesëmarrjen në Eurovision.

“Aty nuk pata emocione. Edhe sot kur e shoh, ndihem krenare, ishte performancë maksimale nga ana ime. Moskualifikimi në finale nuk ishte në dorën time. Do të doja të kthehesha të këndoja në festival jo për çmime, as për të shkuar në Eurovision, por për emocion. Mbase do të mundemi për vitin tjetër”, shton këngëtarja.

Përtej bashkëpunimeve me Admir Shkurtajn, në teatrin “Koreja” apo ansamblin “Mesimèr”, prej tre vitesh, rrëfen, se bashkëpunon me Orkestrën “Piazza Vittorio”, një orkestër multi-etnike, me famë në Europë. “Do të jem me ta në një koncert në Lisbonë, në një spektakël shpirtëror të titulluar “Credo”, ndërsa  thotë se është duke mbledhur materiale shqiptare për t’i kënduar atje. Por më parë do të jetë me Katërin në Torino, më 21 shtator.

Me orkestrën “Piazza Vittorio” thotë se ka bashkëpunuar edhe me dy opera; “Carmen” dhe “Don Zhuani”. “Janë rivizitime, duke  i sjellë ndryshe operat për publikun. Unë jam e vetmja këngëtare lirike aty; të tjerët janë pop, reage,  rrok, ndërsa Don Zhuani është femër. Po thyejmë tabu, edhe për Italinë”, thotë duke qeshur, ndërsa shton se deri në majin e 2019-ës do të jetë në tur me këtë orkestër në disa qytete të Italisë e më pas në rajonin e  Provensës, në Francë.

I janë bërë plot dhjetë vite përvojë në Itali dhe thotë se  i ka dhuruar vetes edhe publikut, “eksperienca deri nga  më të çmendurat”. Megjithatë, nuk parapëlqen të flasë shumë për veten, përveçse kur  zëri i flet  në skenë. “Jam pak xheloze për eksperiencat e mia;  i jetoj aty dhe nëse marrin apo jo jehonë mediatike, nuk më intereson aq.”Ishte nëntëmbëdhjetë vjeç kur mbërriti në Romë, për të studiuar në konservatorin “Santa Cecilia”, prej të cilit doli me një diplomë “30 e Lode” dhe një titull “Maestro”.

“Atëkohë doja vetëm të ikja. Nuk e di nëse vendosa apo më mori rrjedha e të riut, që sikur  i merr vendimet pa menduar gjatë.” Kujton se kur nuk  i doli viza italiane e studimeve herën e parë, qau. Por, kur mbërriti më në fund, për të kapur ëndrrën, e cila thotë ishte pak edhe ëndrra e hallës, që e nxiti për të studiuar në Romë, ishte si të hapej përpara saj një botë e re.

Matmuja si Donna Elvira në operan Don Zhuani

Ndërsa kujton vitet e konservatorit dhe sesi ishte aq e përkushtuar studimeve, sa për të merituar edhe nofkën “secchiona”, ndalet tek aventura njëmujore në Korenë e Veriut. Për të sqaruar çdo hutim apo pyetje, nëse e ka fjalën për Korenë e Jugut, Hersi Matmuja, qesh dhe shton “Ajo Kore e Veriut”. E ftuan të jepte mësim të muzikës pop dhe nga ajo çka pa gjatë atyre tridhjetë ditëve –askush nuk e çoi të shihte përtej qendrës, që e përshkruan si luksoze – thotë se komunizmi atje nuk ishte asgjë të përbashkët me komunizmin në Shqipëri.“Padyshim që janë më të pasur. Peniani ishte me grataçiela.”

Mban mend se kurrë nuk e lejuan të shëtiste e vetëm dhe tre njerëz e shoqëronin gjithnjë e madje flinin në të njëjtin hotel. “Ishte shoferi, një nga ministria e brendshme dhe një përkthyese nga anglishtja.”E kërkuan sërish këtë vit, zbulon, por për shkak të angazhimeve profesionale, iu desh të refuzonte. “Atëherë kur pranova të shkoja në Kore, të gjithë që më thoshin: E ke idenë ku po shkon? Por e kisha ndarë mendjen. Janë disa përvoja që nuk mund t’i humbasësh nga frika. Mund të vdesësh fare mirë edhe këtu, duke ecur në rrugë”, thotë, ndërsa frika nuk e ndali as të këndonte në një koncert për forcat e NATO-s, në Liban.

“Atje më ndodhi diçka shumë interesante në këtë bazë me 12 mijë ushtarë. Ishin dy ushtarë serbë që kishin marrë vesh se në trupën e artistëve italianë ishte edhe një shqiptare. U afruan, pyetën në anglisht mua dhe një kolege nga ishim dhe u përgjigjëm të dyja se vinim nga Italia. “Jo, jo, nga je ti?” m’u drejtuan. U thashë se isha shqiptare. Më pas më pyetën për emrin. Kur u thashë quhem Hersi, ma kthyen në shqip: “Jo, Hersi, lule”.  U prezantuan më pas se ishin serbë dhe mbrëmjen e koncertit më sollën lule.”Nëse do  i jepej sërish mundësia për të përjetuar të tilla eksperienca, nuk do të ngurronte për të pranuar. “Jeta duhet jetuar sot, jo nesër.”

Matmuja në operan 'Carmen' me orkestrën Piazza Vittorio

Thotë se të gjitha këto përvoja mbërritën fill pas prezantimit në Eurovision, më 2014-ën.“Më ka dhënë një pasaportë të bukur”, pranon këngëtarja, por më shumë sesa për kombësinë do të donte të njihej vetëm për talentin.E megjithatë, thirrjen e vendit e ndjeu fort, ndërsa para pak ditësh udhëtonte nga Shkodra drejt Prishtinës, përmes Kukësit. “Kam qarë gjatë gjithë rrugës. I thosha vetes: “Je bërë shumë patetike”. Kam ikur nga Kukësi kur isha pesë vjeç dhe nuk është se ruaj shumë kujtime nga qyteti, por ishte një ndjesi që nuk di si ta shpreh me fjalë. Edhe tani që e sjell ndërmend, emocionohem.

Thotë se në të dy teatrot, në Shkodër e Prishtinë, u pritën mjaft ngrohtë dhe publiku u çua  i gjithi në këmbë. Por performanca në Tiranë është e mbushur me emocione të veçanta, sepse për herë të parë do të shpalosë dimensionin operistik,  si soprano. “Me siguri do të jetë shumë emocionuese. Do të jetë edhe familja ime...Por në skenë nuk e ke mendjen aty. Je e fokusuar te vepra.”

https://www.youtube.com/watch?v=Ahu_K_Jh2vc
Matmuja në Eurovision, 2014

Thotë se gjithnjë është në kërkim të një motivi, që do  ia  zbërthente të gjitha ndjesitë që ka brenda. “Me Katërin më duket sikur po mbytem edhe unë aty. Është shumë e fortë, sidomos pjesa  e korit polifonik. Kur nisin të këndojnë ata,  më rrjedhin lotët, pa e kuptuar përse”, thotë, ndërsa shton se një tjetër pjesë e operas “Katëri  i Radës” që e emocionon gjithaq është “Aria e Ermalit, e kënduar nga Stefano Mangia, një zë eksperimental. Kur nis kjo arie e Ermalit,  i cili është biri  i Liries, të cilën e interpretoj unë dhe bashkohet me zërat polifonikë, ajo që krijohet është çarmatosëse. Në aktin e vetëm të kësaj opere, që në Tiranë vjen për të dytën herë, bëhen bashkë të mbyturit e të shpëtuarit, ata që mbijetuan e ata që humbën, zërat e mendimet e, mbi të gjitha, udhëtimi  i tyre drejt errësirës, plot ankth e dëshira të pakta, ëndrra e frikëra, përhumbje, shfaqje, përkujtime ...

“Kur e dëgjova  ato 50 minutat para se t’i thosha ‘po’  Admirit për t’iu bashkuar kastës së operas, thashë: Ekziston edhe diçka e tillë?!” Sipas këngëtares, edhe njeriu që kurrë nuk ka dëgjuar muzikë operistike në jetën e tij, nuk mund t’u shpëtojë lotëve pasi ka  dëgjuar Katërin e Radës. Pas shfaqjes në amfiteatrit e Liqenit  Artificial, pasi të çmallet me familjen, miqtë dhe profesorët e dikurshëm të cilët i kujton gjithnjë me nderim, do të niset në një itinerar të ri muzikor; Tiranë-Torino-Lisbonë-Bolonjë-Napoli-Romë-Provencë. Në Tiranë, ndoshta do të vijë vitin e ardhshëm, sërish në muzikën e lehtë, ku edhe i hodhi hapat e parë të karrierës, me një këngë për festivalin e fundvitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë