Motosport

Hemilton triumfon në Katar dhe rrit tensionin e titullit, -8 pikë nga Vershtapen

Ljuis Hemilton triumfon edhe në Çmimin e Madh të Katarit, përpara Maks Vershtapen, i cili mori një penalitet në minutat e fundit para garës dhe u nis nga rreshti i katërt. Në vend të tretë ka dalë Fernando Alonso.

Ishte një garë pa histori për vendin e parë dhe të dytë, më shumë është luftuar për vendet e tjera që të japin pikë (Perez i katërti dhe Okon i pesti). Ferrari nuk shkoi më shumë se vendi i shtatë dhe i tetë, me Karlos Sainz dhe Sharl Leklerk.

Kur kanë mbetur edhe dy gara, Vershtapen kryeson me 8 pikë këtë Botëror shumë të luftuar, të mbushur me tension dhe me një sfidë që luhet pikë për pikë. Piloti holandez regjistroi në Katar xhiron më të shpejtë. Ai e nisi garën nga rreshti i katërt dhe jo nga i pari, pas penalitetit që mori gjatë kualifikueseve, ku nuk respektoi rregullat.

Vershtapen e mbylli xhiron e parë në vend të 4-t, pasi kaloi Gaslin dhe Alonson dhe më pas u vu në ndjekje të “Mbretit të Zi”. Hemiltonit i mjaftoi të ishte i përpiktë në “pit stop”-et e kundërshtarit për të marrë fitoren e dytë radhazi, pas asaj në Brazil dhe për ta çuar tashmë në 8 pikë diferencën: 351.5 pikë për Vershtapenin dhe 343.5 për të.

Pas dy pilotëve të parë, të paarritshëm nga të tjerët, doli Fernando Alonso. Spanjolli mungonte në pod prej 7 vitesh, saktësisht që në Çmimin e Madh të Hungarisë në vitin 2014, kur doli i dytë me Ferrarin, pas Daniel Riçardos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë