Motosport

Hemilton tregon forcën në Portimao, çfarë parakalimesh me Vershtapen!

Ljuis Hemilton triumfon në Çmimin e Madh të Portugalisë, përpara Maks Vershtapen dhe Valteri Botas. Holandezi e kaloi kampionin e botës në fillim të garës së Portimaos, por më pas britaniku e mposhti rivalin me të njëjtën “armë”. Është Mercedesi ende makina për t’u mundur.

Ishte një pasdite spektakolare për Ljuis Hemiltonin dhe Mercedesin. Kampionët e botës e kanë dominuar garën dhe ky është një lajm, sepse në Portimao është rishfaqur çifti i suksesshëm i sezoneve të fundit. Fituan edhe në Bahrein, por në Sakhir dhe Imola ishte dyshja Vershtapen-Red Bull që impresionoi. Këtë fundjavë nuk kishte histori, as në kualifikuese dhe as në garë.

Ishte një triumf i kompletuar i Mercedesit, që ka arritur edhe xhiron më të shpejtë me Valteri Botas, i treti pas Vershtapen, që është ngushëlluar me pikët e vendit të dytë. Ka humbur një betejë piloti holandez, por jo luftën, që është shumë e gjatë. Ferrari nuk shkoi edhe aq mirë në këtë garë. Objektivi ishte për të dalë pas vendeve të para, por aty u gjend i zakonshmi Lando Norris me MekLaren. Vendi i 6-të për Leklerk dhe që mund të pranohet. Karlos Sainz ka dalë në vend të 11-të, jashtë zonës së pikëve.

Pas futjes së Safety Car në garë, Vershtapen sulmoi me rifillimin e xhiros së 7-të, duke surprizuar Hemiltonin nga jashtë. U mendua se holandezi do të sulmonte Botasin, por sot RB16B nuk ishte në nivelin e duhur. Dhe pas pak xhirosh Hemilton sulmoi dhe u rikthye në vend të dytë. Ishte xhiroja e 11-të dhe shpresat e Vershtapen u prenë praktikisht që në atë moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë