Motosport

Hemilton te Ferrari në 2025! Kampioni do të jetë dyshe me Leklerk

Gazeta Si – Ferrari ka trazuar ujërat në merkaton e pilotëve të Formula 1. Një javë pas rinovimit të kontratës me Leklerk, shtypi italian ka hedhur hipotezën e afrimit të Ljuis Hemilton. Por nuk është thjesht një hipotezë, duke marrë në konsideratë përfundimin e kontratës së Karlos Sainz.

Ka pengesa për të kaluar, por brenda logjikës. Mungesa deri më sot e konfirmimit të Sainz, të cilit i skadon kontrata në fund të 2024-ës, siç ishte për Leklerk para rinovimit, shtoi zërat për largimin e spanjollit dhe ardhjen e një piloti tjetër. E gjitha kjo ndodh 12 ditë para prezantimit të makinës së re. Dhe vendin e Sainz pritet ta marrë pikërisht Hemilton.

Skuderia italiane nuk ka mbajtur qëndrim pas lajmit për një kontratë të mundshme me Hemilton. Nëse me Leklerk do të bashkohej 7 herë kampioni i botës, Ferrari do të kishte një dyshe shumë të fortë pilotësh. Bashkëpunimi pritet të fillojë në 2025-ën, por nuk përjashtohet mundësia që britaniku të zbarkojë më parë te Ferrari.

Ljuis Hemilton përfaqëson një zgjedhje të një profili të lartë për Ferrarin. Tani mbetet të shihen hapat konkretë dhe zyrtarizimi i marrëveshjes. Nga shtypi konsiderohet një lëvizje e mundur, madje e sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë