Motosport

Hemilton sulmon hapur Vershtapen: Gjithçka e fryrë, unë kisha shokë më të fortë skuadre

Gazeta Si - Kampioni i Mercedesit, Ljuis Hemilton, ka folur së fundi për dominimin e holandezit të Red Bull-it, Maks Vershtapen, duke mos i kursyer aspak shigjetat ndaj tij. Piloti britanik mendon se gjithçka është e fryrë për kampionin në fuqi të Formula 1.

Rivaliteti i tyre bën pjesë në dualizmin hitorik të F.1, ku sapo është shkruar një faqe tjetër. Edhe pse në Botërorin aktual janë të shkëputur, në rezultate dhe paraqitje, mes Hemilton dhe Vershtapen, dualizmi mbetet dhe thumbimet nuk mungojnë. Rrjedhojë e aftësive të tyre si krerë skuadre dhe atij fundsezoni 2021, me titullin e parë të holandezit, që ia rrëmbeu pikërisht anglezit të Mercedesit në një epilog kontrovers të garës së Abu Dhabit.

Hemilton, në një intervistë të fundit, e ka sulmuar hapur rivalin, duke përdorur një paralele mes shokëve respektivë të skuadrave që kanë pasur në karrierë: "Mendoj se gjithçka është shumë e fryrë, - ka thënë anglezi në një intervistë për ‘Sky Sport’. – Shokët e mi kanë qenë më të fortë se ata që ka pasur Maks".

Më tej, Hemilton e argumenton çështjen në këtë mënyrë: “Kam reflektuar për faktin se ajo që tregonin mediat në kohën kur i jepja 5-6 të dhjetat Valteri Botas në kualifikuese është ndryshe nga kjo aktuale, kur Vershtapen ka të njëjtën shkëputje me Serxhio Perez. Është gjithçka shumë e fryrë”.

Hemilton flet specifikisht edhe me emra: "Besoj se shokët e mi kanë qenë më të fortë se të Maksit në karrierë: nga Botas dhe Xhenson Baton, te Fernando Alonso dhe Xhorxh Rasëll (shton më pas edhe Niko Rosberg, kur ia kujtojnë). Kanë qenë shumë të fortë dhe konstantë. Vershtapen nuk garon kundër askujt kaq fort". Fjalë, që holandezit me siguri nuk do t’i pëlqejnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë