Motosport

Hemilton sportisti më bujar, askush nuk ka dhuruar sa ai

Gazeta Si - Me një pasuri prej rreth 350 milionë eurosh, 7 herë kampioni i botës në Formula 1, Ljuis Hemilton, është më bamirësi mes sportistëve në Britani. Muajt e fundit, sipas ‘Sunday Times’, ai ka dhuruar rreth 23 milionë euro për bamirësi. Pra, gati 7% të pasurisë.

Mes bamirësive që Ljuis Hemilton ka bërë, spikasin ato kundër diskriminimit, donacione për bursa studimi, apo edhe për iniciativa pune.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 22 qershor 2022

Në numrin e saj të fundit, ‘Sunday Times’ pa publikuar edhe klasifikimin e 100 të pasurve më bamirës të Britanisë së Madhe. Një klasifikim që bazohet te të dhënat e ‘Charities Aid Foundation’.

Kryeson listën manjati i fondit të investimeve Kris Hohn, me një pasuri prej 2.6 miliardë stërlinash, ose 3 miliardë eurosh. Vitin e fundit ai ka dhuruar plot 347 milionë stërlina, apo 400 milionë euro.

Në vend të 5-të të kësaj liste dhe i pari nga sportistët është sir Ljuis Hemilton. Pasuria e pilotit të Mercedes vlerësohet në 300 milionë stërlina, 348 milionë euro. Vetëm në muajt e fundit Hemilton ka dhuruar 23 milionë euro, ose 6.68% të pasurisë.

Donacionet e tij kanë të bëjnë me çështje të integrimit, për përfshirjen në tregun e punës dhe në universitet për të rinjtë që kanë kaluar situata fatkeqësish apo diskriminimi. Por edhe për shkollimin në përgjithësi dhe për shëndetin.

Mohamed Salah. Gazeta Si, 22 qershor 2022

Në ‘top 10’ figuron edhe një sportist tjetër. Në vend të 8-të është sulmuesi Mohamed Salah, lojtari i Liverpulit dhe Egjiptit. Bëhet fjalë për të tjera shifra, por për të njëjtën bujari si ajo e pilotit anglez.

Salah ka një disponibilitet prej 41 milionë stërlinash, 47 milionë eurosh. Donacionet e fundit të tij kapin shifrën e 2.9 milionë eurove, 6% e pasurisë. Më shumë ai ka dhuruar në fushën e shëndetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë