Motosport

Hemilton shijon 92 fitoret: Një ëndërr, i detyrohem shumë skuadrës

Tani quajeni “Mister 92 fitoret”! Ljuis Hemilton ka thyer rekordin e Mikael Shumakerit pas suksesit në Portugali, por nuk ka në plan të ndalet. Piloti anglez, 6 herë kampion bote, synon të shkruajë faqe të reja të Formulës 1.

"U jam mirënjohës gjithë pjesëtarëve të skuadrës, atyre që punojnë në fabrikë dhe në pistë. Ata vazhdojnë të punojnë dhe ta ngrenë stekën gjithmonë e më lart ditë pas dite. Të gjithë bashkë kërkojmë më shumë në të ardhmen, është diçka e pabesueshme dhe një burim frymëzimi, një bashkëpunim të tillë nuk e kisha përjetuar kurrë më parë", - theksoi Hemilton pas triumfit në Portimao.

Makina e Hemilton pas fitores në Portimao. Gazeta Si, 26 tetor 2020

"Më parë vetëm mund të ëndërroja se do të arrija në të tilla nivele. Kur vendosa të bashkohem me këtë skuadër, nuk mund ta imagjinoja. Është një arritje e jashtëzakonshe, speciale. Do të më duhet pak kohë për ta shijuar këtë sukses, por gjithmonë do të kërkoj më shumë nga vetja. Po e përjetoj me shumë emocione këtë sukses dhe e kam shumë të vështirë të gjej fjalët", shtoi më tej anglezi.

Në fund edhe një koment për garën e fundit: "Në nisje pata një problem në kthesën e shtatë, ku duhej të ngrija këmbën. Më pas arrita të reagoj. Në pjesën e dytë të garës kisha një ngërç në pulën e djathtë, më duhej të ngrija pedalin, por ia dola të shkoja në fund. Ndonjëherë duhet të shtrëngosh dhëmbët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë