Motosport

Hemilton përshëndet presidentin Bajden: Shembull diversiteti i lidershipit

Firma në kontratën e re me Mercedesin po vonon ende, edhe pse duket vetëm një formalitet, ndërsa Ljuis Hemilton, me anë të rrjeteve sociale, ka përshëndetur presidentin e ri të SHBA-ve, Xho Bajden. Hemilton është një nga ata personazhe që synon të jetë më shumë se thjesht një pilot i Formulës 1 dhe këtë e ka treguar shpesh gjatë 2020-ës.

Piloti anglez ka marrë vëmendjen jo vetëm me fitoret e garave dhe titullin kampion në F1, por edhe me përfshirjen e tij në lëvizjen "Black Lives Matter", duke ngritur zërin fort ndaj diskriminimit racor. Qëndrim ka mbajtur e gjitha bota e automobilizmit, por në ndonjë rast në forma shumë të buta për të mos e përzierë sportin me politikën. Gjithsesi, Ljuis Hemilton ka vazhduar me qëndrimin e tij, si një lider i vërtetë.

Postimi i Hemiltonit. Gazeta Si, 21 janar 2021

Betimi i presidentit Bajden në Shtëpinë e Bardhë dhe zëvendëspresidentit Kamala Harris, është ndjekur me shumë entuziazëm nga kampioni i botës. "Një ditë historike për Amerikën, që sjell shpresë për të ardhmen, një shembull diversiteti i lidershipit, që shpresoj të reflektohet në qeveri. Urime Xho Bajden dhe Kamala Harris, paçi fat!" – shkruan Hemilton në profilin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë