Motosport

Hemilton nominon Vershtapenin si pasardhës: Është në listën e Mercedesit, jam i sigurt

Gazeta Si - Piloti anglez, që Botërorin e ardhshëm do të garojë për Ferrarin, është i sigurt se holandezi mund të transferohet te skuderia nga Shtutgarti.

Ljuis Hemilton është i bindur: Maks Vershtapen do të shkojë së shpejti te Mercedesi. Ai nuk ka bërë lojë fjalësh, apo të flasë për hipoteza. Anglezi shkon drejt në rrugën e vet dhe nominon kampionin në fuqi të botës si pasardhës:

"Jam i sigurt se Maks Vershtapen është në listën e Mercedesit, por jam gjithashtu i qartë se është i përqendruar tek e tashmja dhe nuk shoh arsye pse duhet të lërë një makinë kaq të bukur”, - është shprehur Hemilton.

Britaniku ka folur për ‘Sky Uk’ dhe nuk e ka asnashkaluar faktin se shumë gjëra varen nga mënyra si do të mbyllet çështja që ka përfshirë Kris Horner: "Do të jenë vërtet interesantë 6 muajt e ardhshëm, ose më pak se kaq. Nuk kam ‘scoop’-e të tjera", - ka thënë me humor Hemilton.

Për kalimin e mundshëm të Vershtapen te Mercedesi është pro edhe Xhorxh Rasëll. "Mendoj se çdo skuadër dëshiron të ketë çiftin më të mirë të pilotëve dhe për momentin Maks është piloti më i mirë në pistë. Nëse çdo skuadër do të kishte mundësinë të merrte Vershtapen, do ta bënte 100%.

Për mendimin tim, pyetja duhet të bëhet në anën tjetër, në atë të Vershtapen dhe Red Bull-it. Natyrisht, aty po ndodh diçka, por nuk e dimë vërtet çfarë ka pas kuintave dhe për më tepër nuk ëhstë puna jonë në këtë moment. Por do të ishte bukur, nëse Vershtapen do të vinte”, - theksoi Rasëll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë