Motosport

Hemilton flet pa doreza: Botërorin e 2021-shit ma vodhën, por jam në paqe me veten!

Gazeta Si – Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka folur hapur për ‘GQ’ në lidhje me kalimin te Ferrari sezonin e ardhshëm dhe Botërorin e shumëpërfolur të 2021-shit.

Ljuis Hemilton po përjeton një fazë të veçantë të karrierës së tij në F.1. Këto 18 vjet në pistë i kanë dhënë shumë: 7 tituj, 103 fitore, por garimi kërkon vazhdimisht stimuj dhe motivim, siç ka pohuar piloti anglez në një intervistë për ‘GQ’.

Hemilton ka folur sërish për sfidën që e pret me Ferrain në 2025-ën: "Të firmosja për skuderinë italiane ishte një nga qëllimet e mia. Ishte vullneti që lidhet me periudhën e parë të jetës sime, një objektiv i rëndësishëm për mua”, - ka thënë fillimisht britaniku.

Marrëveshja me Ferrarin gjithsesi nuk ia heq në asnjë mënyrë vëmendjen tek e tashmja pilotit të Mercedesit: "Nuk jam stërvitur kurrë kaq fort. Impenjimi im me Mercedesin është po i njëjtë si vitet e mëparshme. Duam të fitojmë. Qasja është e njëjtë, deri në fund, nuk shpërqendrohem nga ajo që ndodh”.

Një nga momentet më të rëndësishme për Hemilton ka qenë gara e Abu Dhabit në 2021-shin, gara që frenoi dominimin e tij dhe shënoi fillimin e dominimit të Maks Vershtapen. Një plagë e provokuar nga vendimet e kontestuara të drejtorit të garës, Michael Masi.

Për atë episod Ljuis thekson: "A më vodhën në atë garë? Ishte evidente”. Por në sytë e pilotit anglez ka një anë pozitive: "Gjëja më e çmuar që nga ai moment kam me vete është prania e babait tim. Kemi kaluar bashkë vështirësi shumë të mëdha. Në ditën më të dhimbshme ai ishte aty. Më mësoi ta mbaj kokën lart.

Natyrisht, shkova ta uroj Maksin (Vershtapen), pa pasur parasysh ndjenjat negative të asaj që ndodhi. Më dukej sikur një pjesë e imja po vëzhgonte atë që po bëja. Ishte një moment vendimtar për jetë time. Nëse rishikoj pamjet, më dhemb, por jam në paqe me veten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë