Motosport

Hemilton flet hapur: Vershtapen sfida më e vështirë, adhuroj të pamundurën

Edhe dy gara nga fundi i Botërorit. Ljuis Hemilton, kampioni në fuqi, duhet të rikuperojë 8 pikë ndaj Maks Vershtapenit. Holandezi ka folur me përulësi përpara finishit të këtij Botërori, duke deklaruar se nuk garon kundër Hemiltonit, por synon vetëm të fitojë për vete.

Hemiltoni dhe Mercedesi duken më në formë se kurrë. Anglezi mezi pret të zbresë në pistë për dy garat e fundit, që mund ta konfirmojnë kampion dhe t’i dhurojnë titullin e 8-të. Ai e di mirë se me dy fitore të mundshme nuk ka nevojë të shohë se çfarë bën rivali i tij.

Hemilton dhe Vershtapen. Gazeta Si, 3 dhjetor 2021

Është një mision i vështirë në fakt, duke parë se si Mercedesi dhe Hemiltoni i kanë fituar 2 garat e fundit në Brazil dhe Katar. “Jam i lumtur të garoj, - ka thënë Hemilton. – Mezi pres të luftoj në pistë, edhe skuadra është gati. Si do të shkojë? Vështirë ta parashikosh, duke qenë se asfalti është i ri dhe do të jetë i pistë. Është një cirkuit i ri, me shumë kthesa dhe shumë të panjohura”.

Dueli me Red Bull-in dhe Maks Vershtapenin po dhuron emocione të mëdha për tifozët. “Është tërheqëse, - pohon Hemilton. – Jemi dy skuadra që po luftojnë fort. Është bukur për këtë sport, e ndihmon Formulën 1 të ketë më shumë fansa. Dueli më i vështirë për mua? Po, sfida më e fortë prej shumë kohësh, më e vështira. Çdo vit kam si objektiv të rrit nivelin tim. Kërkoj gjithmonë më shumë nga sa kam arritur në të kaluarën”.

Hemilton ka theksuar më tej se ka mbështetjen e madhe të skuadrës: “Në Brazil pashë se kemi mendësinë e duhur si skuadër, që dimë të luftojmë dhe të mos dorëzohemi kurrë. Jemi të fortë si grup. Gjithmonë mund të përmirësohesh, të luftosh për perfeksionin, kërkon shpejtësinë më të lartë. Synon që atë që thonë se është e pamundur, ta bësh të mundur. Kjo është ndjesia më e bukur”, - ka përfunduar piloti anglez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë