Futboll

Hazard hedh kunja për trajnerët italianë: Të heqin dëshirën për stërvitje

Eden Hazard u bë në verë një lojtar i Real Madridit, ku stërvitet nga miti i tij, Zinedin Zidan. Sulmuesi belg e adhuron francezin, siç e ka thënë edhe vetë në një intervistë për “Sport/Foot Magazine”, ku ka folur pa doreza për dy trajnerët italianë që e kanë stërvitur, Antonio Konte dhe Mauricio Sarri.

Hazard është mjaft entuziast për faktin që Zidan, i cili e gjeti Realin në një situatë të vështirë, po e bën të fitojë sërish, siç ka bërë gjithmonë në karrierën e tij. Kur është pyetur për trajnerët italianë, Hazard është shumë i qartë në përgjigjen e tij: nuk i pelqejnë aspak metodat e tyre të stërvitjes. “Stërvitja që bëjmë te Reali është gjithmonë me topin, punojmë me lëvizjet dhe skemat. Kur punon me trajnerë italianë stërvitja është e bezdisshme. Është gjithçka e fiksuar te taktika, diçka që përsëritet gjithë kohën. Kënaqësia e vetme është ajo që merr nga fitorja. Kam kaluar tre vjet me trajnerë italianë, Konten dhe Sarrin, kisha humbur dëshirën për stërvitje, që te Reali e ka gjetur sërish”, – është shprehur Eden Hazard.

Hzard dhe Konte, kur ishin te Çelsi. Gazeta Si, 15 janar 2020

Zidan është pa dyshim një nga arsyet pse Hazard e kërkoi me ngulm kalimin nga Çelsi te Real Madridi. Francezi është një mit për belgun si futbollist dhe si trajner. “Nuk ka folur shumë me Zidan para se të vija te Reali. Hera e parë ishte gjatë Europianit të 2016-ës në Francë. Ai më telefonoi dhe më tha: ‘do të ishte bukur, nëse do të vije në Madrid’. Dhe kur të telefonon Zidan, e kupton mirë që është diçka e rëndësishme!”. Me sa duket, futbollisti belg po zbavitet te Reali me Zidan, ndryshe nga koha e Çelsit, kur drejtohej nga Konte dhe Sarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë