Ne rrjet

Hashim Thaçi merret në pyetje nga prokurorët specialë në Hagë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mbërritur në dielën në Hagë, në një nga misionet më të vështira ta karrierës së tij, për të pastruar emrin nga hija e krimeve të luftës.

Presidenti do të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar nën akuzën për gati 100 vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato, por Prokoruria Speciale ka gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar do të dorëhiqet.

"Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Europian", ka deklaruar ai.

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet. Sipas regullores, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë ose të lejojë prokurorin të dorëzojë materiale shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave; të kërkojë prej prokurorit të specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi, ose t’i kërkojë prokurorit që të ulë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave. Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës i Thaci bëhet i akuzuar dhe gjykatësi mund të lëshojë një udhërarrest për presidentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë