Lajme

Në shtëpinë e plakut Mustaf ku u gjet laboratori i heroinës

Nga Anila Hoxha

Në 78 vitet e jetës së tij, Mustaf Shuti mendonte se i kishte kaluar të gjitha llojet e dallgëve. 16 vite në minierë, aq sa i lanë në vazhdim një sëmundje të egër mushkërish. Më tej, kooperativë dhe pesë fëmijë për t’i rritur. Pastaj e shoqja “u  ngjit” për krevati nga një paralizë e beftë.

“Po asgjë, asgjë nuk ishte dhe nuk i ngjan kësaj të fundit”, ofshan Mustaf Shuti. “Asgjë më e rëndë se shija e prangave”, më thotë. Mustaf Shuti ka zënë krevatin. Ai në njërin krah dhe plaka në krahun tjetër. “Më lanë, - thotë, - më lanë arrest shtëpie. Mirë boll bënë. Po ku do të shkoj? Jam i sëmurë, jam duke ikur”. Ai jeton në Brenogë të Hasit, një fshat, që nuk u bë i njohur as për largimin masiv të djemve drejt Anglisë, as për dëborën, që i  bllokon e i mbyll pesë muaj të vitit. Por, për një laborator droge.

“Erdhi policia... ata hynë në oborr dhe gjithandej... kërkuan të dinin kush është zot shtëpie këtu”. U ngrita nga krevati dhe ju tregova drejt. “Unë jam, u thashë”, tregon i moshuari. Mustaf Shuti këmbëngul se i kanë mashtruar. Varfëria e ka ngulur në fshat dhe janë ndër të paktat familje, që nuk u larguan dot as në emigracion dhe as larg Kukësit. Në lagjen ku jeton familja Shuti me 7 anëtarë, kanë ikur 6 familje. Ndërtesat po rrënohen. Edhe plakut Mustafë i ka ikur njëri nga djemtë në Zelandë të Re, por ai nuk e ktheu me kokën pas, as për nënë e as për babë.

Djali me të cilin jeton, Xhevit Shuti, 48 vjeç, para gjashtë viteve filloi të punojë si shofer i linjës Has-Durrës.

Plaku Mustaf dhe i biri Xhevit kanë të njëjtët emra si turqit e telenovelave me trafikantë, dhe si dy turqit e tjerë, që nuk u arrestuan. Mes kollës, që nuk i ndahet, plaku Xhevit shtrëngon gjoksin dhe hesht kur e pyes: “A je trafikant?”

“Ç’është kjo punë, - pëshpërit ai, - ne jemi ca fukarenj të gënjyer”. Mustaf plaku më tregon se “ATA’ ishin lidhur me të birin, i kishin thënë se do të hapnin një punishte për bimët medicinale dhe se u duhej ‘një copë shtëpi me qira’. ‘ATA’ erdhën të mërkurën në darkë dhe u thashë se kur të bënin ilaçe medicinale, mbase do më jepnin diçka edhe për kollën. Se ishte drogë, kurrë nuk mund ta mendoja”.

Të enjten në mëngjes, plaku Mustafë tregon se u kishin kërkuar atyre të firmosnin një dokument për qira. Por, “ATA” nuk kishin pranuar. “Kush janë ‘ATA’?”, e pyes. “Nëse i shoh, do të t’i tregoj, - më thotë, - sepse nuk i harroj”. “E kisha boll varfërinë. Por, tri veta nga shtëpia arrest, është boll e rëndë”.

Plaku Mustaf dëgjon zhurmën, që lë sëpata jashtë në oborrin e një shtëpie, në të cilën jetojnë të gjithë në një dhomë. Nusja e shtëpisë me tri fëmijë të vegjël, po bën gati drutë e dimrit. “Do vijë dëbora, - thotë, - ka vaktin, po edhe qeveria është në vakt të vet e mund t’i gjejë trafikantët e vërtetë”. “Tri ditë në paraburgim nuk janë asgjë, - thotë, - djali në burg nuk është asgjë, as nusja në burg nuk është asgjë, para forcës që më duhet për t’i bindur të gjithë se jemi ca të gënjyer. Po kryet shëndoshë... kryet shëndoshë”.

Në vendin e laboratorit, Anila Shuti po fut drutë e dimrit. Vajza e shtëpisë po djeg rakinë, do ta shesin. Dy djemtë e tjerë, më i madhi në klasë të tetë, më shikon me bisht të syrit atletet e njeriut që më shoqëron.  “Janë firmato”, - i thotë shoqëruesi im. Por, ai nuk e ka idenë, mban të veshura një palë opinga të shkelura dhe plot bajga lopësh. Dhe të mendosh që në shtëpinë e tyre u gjet një laborator droge me mbi 100 kg morfinë. Dhe të mendosh që babai i tij, gjyshi i tij, nëna e tij dyshohen si trafikantë. Së bashku me biznesmenin Admir Hoxha, që jeton në arrati dhe që në afërsi të aeroportit ka në pronësi një nga rezortet më luksoze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë