Libra

Haruki Murakami: Bota që nuk njohim

Tregimi “Shpella e Erës”,  i botuar së fundi në “New Torker”, është marrë nga romani juaj i ardhshëm “Vrasja e Komandantit”. Në pjesën tjetër të romanit, narratori, si një i rritur njëzet vjet më pas, përndiqet ende nga kujtimi i motrës së vdekur. A mendoni se humbja ishte kaq shënjuese për të?

Ka tri lloje plagësh emocionale: ato që shërohen shpejt, ato që duan kohë të gjatë të shërohen dhe ato që mbeten me ty derisa vdes. Mendoj se një nga rolet më të mëdha të trillit letrar,  është të gërmojë sa më thellë dhe në sa më shumë hollësi të jetë e mundur, në plagët që mbeten. Sepse ato janë shenja që, për të mirë apo të keq, përkufizojnë jetën e një njeriu. Dhe historitë – ato të efektshmet, mund të tregojnë se ku fshihet një plagë, të përcaktojë kufijtë e saj (shpesh , njeriu i lënduar nuk është i vetëdijshëm se ekzistojnë plagët), dhe punon për ta shëruar.

Çasti më dramatik është i vendosur në një shpellë ere, pranë malit Fuxhi. Ç’ju bëri të zgjidhni atë vendndodhje?

Gjithnjë kam qenë i magjepsur pas shpellave. Kam vizituar shpella të panumërta gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë. Shpella në malin Fuxhi është një prej tyre.

E motra e narratorit, Komi, i thotë atij se personazhet te “Liza në Botën e Çudirave”, ekzistojnë vërtet në botë. Një tematikë në tregim – dhe përgjatë të gjithë romanit – është mjegullimi i dallimit mes reales dhe joreales. Në fakt, mund të thuash që kjo tematikë gjendet shpesh në veprën tuaj. Çfarë ju bën t’i ktheheni idesë?

I bëj vetes të njëjtën pyetje. Kur shkruaj romanet e mi, realiteti dhe jorealja përzien natyrshëm bashkë. Nuk ka qenë plani im dhe as nuk e ndjek ndërsa shkruaj, por sa më shumë përpiqem të shkruaj për realitetin në një mënyrë realiste, aq më shumë shfaqet pashmangshëm bota joreale. Për mua, një roman është si një festë. Kushdo që dëshiron t’i bashkohet mund t’i bashkohet dhe ata që duan të ikin mund ta bëjnë kur të duan. Mendoj se romanet e marrin forcën e tyre tërheqëse nga ai kuptim i lirisë.

Kur Komi ikën – në një kuptim – poshtë në gropën e lepurit, ajo zbulon një dhomë të fshehtë krejt të rrumbullt. A ka ajo dhomë një kuptim simbolik për ju apo në të vërtetë po kalon në një botë tjetër?

Këndvështrimi im bazik për  botën  është se pranë asaj ku jetojmë, ajo me të cilën jemi të njohur dhe familjarizuar, ka një botë rreth së cilës nuk dimë asgjë, një botë e panjohur, e cila ekziston konkurrueshëm me tonën. Struktura e asaj bote dhe kuptimi i saj, nuk munden të shpjegohen me fjalë. Por është atje dhe ndonjëherë mundemi ta vështrojmë shkarazi, thjesht rastësisht – si në rastet kur një shkreptimë të ndriçon, për një çast, botën përreth.

A ka qenë “Liza në Botën e Çudirave” një pikë referimi edhe për pjesën tjetër të romanit? A jeni ju, ashtu si edhe Komi, i fiksuar pas Lewis Carroll-it?

Dyshoj se ka një fëmijë, kudo në botë, që nuk është magjepsur prej Lewis Carroll-it. Mendoj se fëmijët tërhiqen prej tij, sepse bota që ai përshkruan është krejtësisht një realitet paralel i vetëpërmbajtur. Nuk ka nevojë të  sqarohet; fëmijët thjesht e përjetojnë.

Ka evokime të veprave të tjera në roman si për shembull “Don Zhuani” i Moxartit, apo “Getsbi i Madh” i Fitzgerald-it e deri te “Kështjella e Mjekërblusë”. A frymëzoheni shpesh nga vepra të tjera, kur shkruani?

Frymëzimi fillestar për romanin më erdhi nga një prej tregimeve në përmbledhjen e periudhës së vonë edo, “Rrëfenjat e Shiut të Pranverës”, nga Akinari Ueda, veçanërisht një tregim rreth një mumieje, që kthehet në jetë. Ka kohë që  e mendoj ta zgjeroj atë tregim në një roman të gjatë. Gjithashtu kam dashur të shkruaj diçka që mund të ishte homazh i “Getsbit të Madh”.

A e mendoni “Vrasja e Komandatit” si një largim nga romanet tuaj të mëparshëm apo një vijimësi?

“Vrasja e Komandantit” ishte romani i parë, pas shumë kohësh, që e kam shkruar pastër në vetë të parë. Në fakt, ajo që ndjeva, shumë fort, ishte sesa shumë më kishte munguar të shkruarit në këtë mënyrë. Ndjeva sikur isha kthyer në parkun e lodrave dhe po luaja sërish. Ia kalova mirë gjatë shkrimit të  librin. Mbushja me kujdes e  hollësive  ishte një proces që e shijova shumë.

*Deborah Treisman/New Yorker


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë