Lajme

Harrizaj, “njeriu me shenjë”, që drejtësia ia kishte harruar fytyrën

Nga Anduena Llabani – Kush e mbrojti dhe kush e eliminoi mbrëmë në Durrës Edison Harrizajn? Pse i shpëtoi burgut njeriu me aktivitetin më të famshëm kriminal në vend? Pse emri i tij nuk figuron në asnjë institucion si person me precedentë penalë? Si mundi ai t`i shpëtojë arrestimit në 2012 dhe pse asnjë gjykatë dhe prokurori nuk e fajësoi për krimet e kryera prej dorës së tij?

I pagëzuar me emrin e një prej personazheve hollivudianë, atë të Al Pacinos në “Scare Face”, (“Njeriu me Shenjë”), Edison Harrizaj jetoi prej shumë kohësh në liri edhe pse shumë krime të pazbardhura ende, sot mbajnë emrin e tij.

Prej 2010 askush në qytetin e Vlorës nuk ka mundur t`ia shohë fytyrën, por “bëmat” sigurisht ia kanë dëgjuar. Nipi i një prej kapobandave më famëkeqe në Vlorë, Viktor Ymeri, do ishte po aq i famshëm për disa nga krimet më të rënda që ndodhën në vend prej më shumë se dy dekadash.

I pasur, i panjohur, por me shumë pushtet në vendin e tij të lindjes, ai do të kthehej në bashkëpunëtorin më të ngushtë të Elimiano Shullazit. Shumë ngjarje do të bëheshin në bashkëpunim dhe policia do të përfshihej si bashkëpunëtorja më e ngushtë e tij. Një rast i tillë ishte ai i ish-oficerit të policisë Ervin Dalipaj.

Ervin Dalipaj

Vrasje, rrëmbime, ekzekutime… të gjitha në emër të një hakmarrjeje, që kanë lidhje me paranë, pushtetin dhe drogën. Zinxhiri i vrasjeve që shoqëruan prej vitesh Durrësin dhe Vlorën, i kanë tashmë autorët, disa në arrati e një pjesë në qeli.

Dosja e krimeve

“Njeriu me shenjë” do të dënohej për dy vrasje në Vlorë, krim për të cilin do të lirohej në vitin 2011 dhe prej asaj ditë askush “nuk guxoi” ta prekë atë. Bashkëpronar në një nga baret në Vlorë, (“Oslo”), ai garantoi siguri dhe jetëgjatësi, duke mos u prekur nga askush. Zona në të cilën strehohej dhe ushtronte aktivitetin e tij kriminal, ishte e tillë që nuk mund të eksplorohej as nga policia. Askush nuk mund të shkelte aty, ndërkohë që dosjet ndaj tij ishin “zbardhur”.

Emri i tij u bë i njohur për median, në qershor të 2012, kur bashkë me Emiliano Shullazin u arrestua me armë dhe një mjet të blinduar në Lezhë. Në atë kohë u la i lirë nga gjykata me arsyetimin se nuk ishte në dijeni të armëve dhe rastësisht ishte në atë mjet. Krimin e mori përsipër një tjetër i arrestuar me ta, edhe pse asokohe u dyshua se tre personat ishin nisur për të kryer ekzekutimin e radhës.

Mbi të ndjerin Edison Harrizaj rëndojnë edhe shumë krime të tjera si atentati ndaj Skerdialajd Konomit, gjyqtarit të Vlorës i cili gjykonte në atë kohë dosje me konflikt pronën private në rrethinat e Durrësit.

Krimet e rënda saktësuan për Gazetën “Si” se kjo çështje u regjistrua por në asnjë rast emri i Edison Harrizajt nuk u referua. Prokurorët e kishin të pamundur të hetonin për krimet e tij. Askush nuk a kishte parë fytyrën, asnjë se kishte parë ndërsa lëvizte i lirë në “nëntokën” e tij. I skeduari për gjobëvënie, rrëmbime dhe vrasje me pagesë, do të ekzekutohej i lirë, i pastër nga akuzat.

Një tjetër e dhënë e panjohur për të është konflikti i hapur që ai kishte me një nga grupet më të fuqishme në qytetin e Durrësit. Ata s’janë të famshëm, por shumë të organizuar – thonë burime nga policia. Emri i tij lidhet edhe me dy vrasje në Durrës dhe dy në Sukth, por ngjarjet s`kanë ende zyrtarisht një autor.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë