Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e cilësoi si të turpshme padinë e Edi Ramës, që e akuzon atë për shpifje në lidhje me deklaratat se qëndron e mbështet idenë e rrezikshme të ndarjes së Kosovës.
Haradinaj i kërkon falje popullit shqiptar, por u qëndron deklaratave, madje thotë se Edi Rama jo vetëm nuk e ka kundërshtuar idenë e ndarjes së Kosovës, por e ka mbështetur dhe lobuar për të.
“Ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë në një emision që pro ndarjes ka qenë edhe Presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media dhe në biseda me të huaj për këtë temë, madje e ka bërë edhe në tavolina ku kam qenë edhe unë i pranishëm”, deklaroi Haradinaj në emisionin “Open”.
Rama dhe Haradinaj duhet të përballen në gjykatën e Prishtinës, ku i pari ka dorëzuar një padi për shpifje ndaj të dytit për një deklaratë të bërë disa muaj më parë, ku Haradinaj akuzon Ramën, Thaçin dhe Vuçiçin se u përpoqën që t’i grabisnin Kosovës 10 miliardë euro pasuri, duke nënkuptuar këtu Trepçën.
“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh i përket vetëm Kosovës”, deklaroi ai në muajin tetor i ftuar në një studio televizive në Tiranë.
Pikërisht tek kjo deklaratë është bazuar padia e Kryeministrit Edi Rama, që i kërkon që të provojë sesi do të përfitonte 10 miliardë euro nga ndarja e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës këmbëngul se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe jo vetëm që nuk ka dëmtuar mbështetjen e Perëndimit, por e ka forcuar atë.
“Sot ne kemi bashkëpunime në aspektin e sigurisë me SHBA. Kemi një mijë herë marrëdhënie më të mira me Gjermaninë. Shkoni pyesni në Gjermani”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.