Politike

Haradinaj dorëhiqet edhe si kryetar partie: Jam në garë me 100 kandidatë

Njeriu që dërgoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme, Ramush Haradinaj shpall një tjetër dorëheqje. Pas largimit nga posti i kryeministrit, Haradinaj ka paralajmëruar largimin nga posti i kryetarit të partisë Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës.
Arsyetimi i dorëheqjes është për shkak të zgjedhjeve të brendshme në AAK-në. Këtë vendim Haradinaj e bëri të ditur gjatë një interviste për Ekonomia Online, një media në Kosovë. “Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje”, thotë ai.
Ai shprehet se kanë vendos kritere të reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë dhe se në këto zgjedhje do të aplikohet parimi, një delegat një votë, me çka hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.
“Ne e kemi hapur votën në total. Në këtë rast nëse kandidoj, Ramush Haradinaj nuk e ka një kundër kandidat, por i ka 100 kundër kandidatë. Secili prej tyre nëse ia qet votën vetes edhe unë vetes, i bie që të gjithë kemi votë të barabartë duhet të hyjmë në raund të dytë në raund të tretë e ku di unë. Kemi bërë lëvizjen më të guximshme të mundur për hapje të garës dhe po ashtu e kemi bërë një lëvizje të guximshme me Prishtinën. Ne i kemi mbajtur dje takimet për këshillat iniciues të 5 degëve të Prishtinës, ndarja zonale dhe jemi në proces e sipër prej 20 shkurtit fillojmë me kuvendet iniciuese të degëve të Prishtinës dhe punojmë me strukturën tonë të degës me nivelin qendror por edhe me qytetarë por edhe me autoritete me profesionistë që shprehin interesim”, deklaron Haradinaj.
Ku vendim cilësohet si guximshëm sipas kryeministrit në detyrë, pasi po aplikohet dhe se është në garë me 100 delegatë për t’u zgjedhur si kryetarë. “100 anëtarë të Këshillit Drejtues përfshirë edhe mua e marrin votën për kryetar cilido që e merr një votë më shumë bëhet kryetar i partisë, ose i degës. Është një garë më sfiduesja e mundshmja, është e ngjashme si për asamble por edhe bartësi i listës është në votë”, thotë Haradinaj.
Ai shton në strukturat e partisë nuk do të ketë pozita ex-officio as për kandidat as për poste dhe të gjithë personat që udhëheqin pozita në AAK do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor nga baza. Haradinaj beson që ky proces të ecën mirë dhe se qershor të mbahet Kuvendi Zgjedhor ku do të votohet për kryetarin e ri dhe për strukturat tjera partiake.
“Mendoj që ky proces të ecën mirë. Pra pjesa e parë do të përmbyllet deri në maj që i bien që në qershor do të kemi kuvendin tonë zgjedhor dhe aty do të shihet rezultati, por është një proces i mirë”, përfundon ai. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më 29 dhjetor të vitit që lamë pas shpalli zgjedhjet e reja të brendshme. Fillimisht Haradinaj pas zgjedhjeve të parakohshme u përfol se nuk do të merrte mandatin e deputetit, por se më pas e mori atë mandat. Në korrik të vitit 2019, Haradinaj pas dy vitesh si kryeministër do të deklaronte dorëheqjen. Shkaku i këtij akti ishte thirrja për herë të dytë për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës. Ndërsa kjo dorëheqje erdhi edhe në kulmin e debatit politik për taksën e vendosur ndaj mallrave serbe. Pikërisht kjo përplasje përfshiu edhe Tiranë dhe Prishtinën zyrtare. Jo të pakta kanë qenë përplasjet mes Haradinajt dhe Ramës, e kjo vetëm për taksën e mallrave dhe për nismën minishengenit ballkanik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë