Politike

Haradinaj dhe Meta në Durrës: Kosova nuk do të kursejë asgjë

Presidenti Ilir Meta, së bashku me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj vizituan qendrën e emergjencave civile në Durrës, të ngritur në stadiumin “Niko Dovana”, ku u takuan dhe u interesuan për shëndetin dhe gjendjen e banorëve të mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit që goditi vendin.
Gjatë takimit me banorët e pastrehë të Durrësit, si edhe me Forcat e Sigurisë e të Policisë së Kosovës, Presidenti i Republikës u shpreh: “Falënderoj për të disatën herë Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, Kryeministrin Haradinaj, e në mënyrë të veçantë Forcat e Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, që kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm që në orët e para të përballimit të kësaj tragjedie dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën përkrah forcave tona, në ndihmë të qytetarëve tanë që kanë vuajtur këto pasoja të tmerrshme të tërmetit”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Haradinaj vuri në dukje se: “Jam i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar, së bashku me Presidentin e Republikës Meta, jemi sot në Durrës, pranë efektivëve edhe të Policisë së Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, të Ushtrisë së Shqipërisë, për t’iu dhënë përkrahje të mëtejme të gjithë të angazhuarve për kalimin e gjendjes”.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/2557210501000415/


“Ne bashkëndjejmë me familjet e viktimave, të plagosurve dhe të dëmtuarve, të gjitha ato vështirësi që ka Shqipëria dhe do të vazhdojmë të jemi bashkë. President faleminderit për kohën tuaj! Kemi një numër të caktuar të shqiptarëve që janë në Kosovë. Shumica janë në familje private dhe kapacitete private, hoteliere. Dhe në një kamp ushtarak. Janë 500 të strehuar aty. Kushtet nuk janë prefekt në këtë kamp, që mos keqkuptohemi. Ai është një ish-kamp ushtarak gjerman, por kemi bërë përpjekje që mos jenë në qiell të hapur”, Haradinaj.
Më tej ai theksoi se “është me rëndësi që të gjithë në Kosovë janë bashkë me të të gjithë prekurit e tërmetit. Të gjitha mekanizmat që ka Kosova janë në dispozicion. Nga Kosova nuk do të kursejmë asgjë për të qenë bashkë”.

Meta dhe Haradinaj në Durrës


Në përfundim, Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Haradinaj edhe Qeverinë e Kosovës edhe për kontributin e parë financiar që ata dhanë prej gjysmë milioni euro, duke nxitur dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve dhe sipërmarrësve të Kosovës.
Ky solidaritet, sipas Metës, e ka bërë më të lehtë përballimin e këtyre pasojave, të kësaj dhimbjeje, duke shtuar se “ndihem mirë kur edhe vetë qytetarëve tanë, shprehin mirënjohjen më të thellë e më të përzemërt të mbarë popullit tonë për këtë solidaritet vëllazëror”.
Meta dhe Haradinaj ishin të shoqëruar edhe nga anëtarët e kabinetit qeveritar të Kosovës, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Ministri i Mbrojtjes, Rustem Berisha, Ministri i Transporteve Pal Lekaj, si dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, u takuan edhe me njësinë speciale të emergjencave civile të mbërritur nga Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë