Politike

Haradinaj akuzon Ramën, Vuçiçin dhe Thaçin: Do të grabisnin 10 miliardë € nga Kosova

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka hedhur akuza të rënda ndaj  kryeministrit Edi Rama duke thënë se është përpjekur të fitojë nga ndarja e Kosovës.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pretendon se presidenti serb Vuçiç, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Rama kanë tentuar të grabisin miliarda euro nga ndarja e Kosovës.

Në një intervistë për ’360 gradë’’, Haradinaj shton se 3 udhëheqësit planifikonin të grabisnin 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës nëpërmjet ndarjes territoriale të Kosovës, por ky plan, sipas Haradinajt, u prish prej tij.

''Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë €, Trepçja jep një fitim neto rreth 500 milionë €në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve  ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë  në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera  e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës’’, thotë Haradinaj gjatë intervistës së tij për ‘

Kujtojmë që ai ka patur përplasje të vazhdueshme me Ramën dhe Thaçin për sa i përket çështjes së korrigjimit të kufijve të Kosovës me Serbinë. Haradinaj akuzoi kohë më parë Ramën se ky i fundit i ka ushtruar presion për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë.

Kjo është hera e  parë që Haradinaj kritikon kreun qeverisë  shqiptare, pasi ka paralajmëruar disa  muaj më parë se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian sepse mbështet ndarjen e Kosovës. Gjermania, fuqia më e madhe e BE-së ka dalë kategorikisht kundër këtij skenari dhe sipas Haradinajt, nëse Berlini dyshon se Rama favorizon ndarjen e Kosovës, rrezikon negociatat dhe jo vetëm.

Në një intervistë televizive në korrik, kryeministri Haradinaj “fshikulloi” këdo që mbështeste shkëmbimin e territoreve duke thënë se Kosova nuk i kishte marrë asgjë Serbisë, që të detyrohej t’i jepte diçka. Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “disa nga armiqtë e Kosovës flasin shqip”.

“Në Uashington po lobohet nga Kosova, Serbia por dhe Tirana zyrtare për t’i bindur zyrtarët amerikanë se korrigjimi i kufijve është formula e duhur. Po bëjnë shumë gabim”, tha Haradinaj duke nënvizuar se dhe media ka rënë në grackën e këtyre. “Kushdo që kërkon njohjen nga Serbia me shkëmbim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit të vitit 2008, i Kosovës së pavarur dhe Kushtetutës. Kushdo që ende më tutje e zvogëlon këtë Kosovë është armik. Çdo ngacmim i kësaj arritjeje, apo çelje është kthim prapa për shqiptarët”, deklaroi kryeministri.

Ai hodhi akuza të forta duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar pará në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burime i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, së bashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë