Lajme

Hapet rruga Kardhiq-Delvinë, reduktohet me 45 minuta udhëtimi drejt Sarandës

Gazeta Si - Rruga e re Kardhiq-Delvinë, e cila shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta, është hapur këtë të diel, 2 korrik 2022.

Të gjithë pushuesit, që do të zgjedhin  bregdetin e Sarandës këtë verë, prej kësaj të shtune, do ta kenë më të lehtë udhëtimin.

Pjesë e kësaj rruge është edhe tuneli i Skërficës. Me një gjatësi prej 33 km, përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë e shkurton në 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit.

Ndërtimi i këtij aksi u prit prej vitesh nga banorët e Gjirokastrës dhe operatorët turistikë, pasi do të afrojë dy qytete që kanë një numër të konsiderueshëm vizitorësh. Ndërkohë më 9 korrik hapet përfundimisht dhe by-passi i Vlorës.

Në ceremoninë e inagurimit ishte kryeministri Edi Rama, të cilit iu dedikua një këngë nga grupi polifonik 'Zëri i bilbilit'.

Kryeministri shoqërohej nga ministret Belinda Balluku dhe Mirela Kumbaro. Të pranishëm ishin edhe deputetja Anila Denaj si dhe kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi pamje të këtij aksi rrugor, teksa bëri të ditur se nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër.

“Udhëtimi nga Gjirokastra në Delvinë, e përtej në Sarandë me rrugën e re që nga sot do të jetë e hapur për gjithë qytetarët duke e sjellë bregun fare afër”, shprehet Kumbaro në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë