Njerez

Hapet lotaria e shqiptarëve që s’e bllokoi dot Trump

Shqiptarët mund t’u drejtohen kompjuterave nga ora 18:00 e kësaj të mërkure dhe nëse serverat nuk bien, ashtu siç ka ndodhur në dy vitet e fundit, të provojnë fatin për të realizuar ëndrrën amerikane përmes lotarisë pa kaluar ndonjë peripeci të madhe.

Ajo që njihet zyrtartisht si Lotaria e Vizave të Shumëllojshmërisë pritet të tërheqë edhe këtë vit me mijëra shqiptarë. Mjafton të përmendim se në dy vitet e fundit, numri i aplikimeve ka qenë rreth 200 mijë, ndërsa numri i aplikantëve mbi 330 mijë.

Shumica e aplikuesve e dijnë që gjasat që të zgjidhen rastësisht nga sistemi elektronik si fitues të lotarisë janë të vogla, nisur nga fakti që nga 367 mijë aplikantë, më pak se 4500 shqiptarë u shpallën fitues për 2017. Por, shpresat mbeten, sepse thuajse të gjithë e kemi një familjar, kushëri, të afërm e ta njohur që ka udhëtuar përtej Atlantikut falë fatit.

https://twitter.com/USEmbassyTirana/status/1047396827866304513

Këtë vit, lotaria mbyllet më 6 nëntor. Rregullat e aplikimit janë të njëjta. Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Duke filluar nga 7 maji 2019, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së, i cili do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes, por edhe datën e intervistës në Ambasadën Amerikane.

Thirrja e përvitshme e Ambasadës Amerikane është që të bëhet kujdes nëse do të merrni pjesë, që të mos e lini aplikimin për ditët e fundit, pasi serveri mund të mbi ngarkohet dhe këshillohet që të regjistroheni më parë.

Edhe për këtë vit do të jenë në dispozicion të lotari 50 mijë viza. Regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas në faqen zyrtare ëëë.dvlottery.state.gov.

Po kush mund të marrë pjesë? Aplikuesi duhet të jetë mbi 18 vjeç, nëse aplikon vetëm. Në rast aplikimi familjar, mund të përfshihen dhe fëmijët deri në moshën 21 vjeç. Regjistrimi është i thjeshtë, shkruhen gjeneralitet, gjendja civile aktuale, vendlindja, adresa, numri i telefonit dhe origjina e shtetit.

Ajo që ju duhet është një foto e këtij viti, pasi ato të mëhershmet nuk pranohen dhe mund të penalizoheni nga sistemi duke mos u përfshirë në lotari. Duhet një fotografi portreti digjitale e muajve të fundit sipas parametrave të përcaktuar në faqen e aplikimit. Aty gjendet dhe guida për përmasat, në fotografi duhet të dilni pa syze. Gjithsesi nëse fotografia është e pavlefshme ajo nuk pranohet nga vetë sistemi. Kur aplikimi është familjar duhet fotografi për secilin anëtar. Ndërkohë nëse je i martuar duhet patjetër regjistrim edhe të bashkëshortit, ose bashkëshortes, në rast të kundërt s’kualifikohesh.

Secili bashkëshort ka të drejtë të jetë aplikant kryesor duke përfshirë pjesën tjetër të familjes. Në rastin kur dikush është i divorcuar dhe ka fëmijë deri në moshën 21 vjeç, është i detyruar të përfshijë në aplikim edhe fëmijët, pavarësisht ka apo nuk ka kujdestarinë e tyre.

Çdo aplikant duhet të ketë përfunduar ciklin e plotë të studimeve 9-vjeçare dhe shkollën e mesme, ose dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve fundit në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Duhet të aplikoni vetëm një herë për person. Personat që do aplikojnë më shumë se një herë skualifikohen.

Mbi 40 mijë shqiptarët kanë emigruar me lotarinë

Në total janë rreth 200 popuj që kanë të drejtë të aplikojnë për Lotarinë Amerikane. Shqiptarët radhiten në vendin e pestë gjatë periudhës 1993-2015, si populli më me fat në këtë pjesë, por kjo nisur nga fati se numri i aplikimeve është shumë i lartë në vendin tonë.

Në 22 vite, nga 1993, kur u hap për herë të parë lotaria amerikane, përmes këtij sistemi kanë përfituar rreth 42 mijë shqiptarë, që më pas janë pajisur me Green Card në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shifër përbën thuajse gjysmën e shqiptarëve që janë pajisur me Green Card në SHBA.

Foto nga nje parade e komunitetit shqiptar ne Nju Jork

4.5 për qind e shqiptarëve që kanë aplikuar për lotarinë e kanë fituar atë në harkun kohor të 22 viteve, pra një mesatare 1 në 20 vetë.

Përqindje më të lartë se vendi ynë kanë; Etiopia me 6.5 për qind, Nigeria me 5.94 për qind, Egjipti me 5.11 për qind dhe Ukraina me 5.04 për qind.

Donald Trump s’e ndali dot

Sipas statistikave, shqiptarët janë të parët sa i takon numrit të aplikuesve për banorë, ndërsa në total, shifra e aplikuesve për vitin 2017 shkoi në mbi 18 milionë aplikues, për 50 mijë vende.

Në shkurt të këtij viti, Presidenti Donald Trump tha se do të propozojë pezullimin e lotarisë, duke e zëvendësuar atë me një sistem tjetër vizash që bazohet tek merita dhe vlerësimi në bazë të pikëve.

Presidenti i SHBA, Donald Trump

Por, përveç asaj që deklaroi dhe postoi në Tëitter, asgjë nuk u ndërmor, kjo edhe për faktin se përballë Donald Trump ishte Kongresi amerikan. Presidenti amerikan nuk mund ta anulojë lotarinë me një urdhër ekzekutiv, pasi këtë pushtet e ka Kongresi.

Në fakt ka pasur një nismë të tillë në vitin 2013 dhe është miratuar nga Senati për kalimin nga lotaria te një sistem i bazuar te meritat e emigrantëve, por një projektligj i tillë nuk kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe afati skadoi për një gjë të tillë. Presidenti vet nuk e ndërmerr dot këtë hap pa u shqyrtuar në Kongres, ndërsa ende nuk e dihet se çfarë do të bëjë Kongresi, a do të ndërmarrë masa për një nismë, ose propozim të tillë të presidentit Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë