Biznes

Hapen aplikimet për Start Up-et më të mira, nga 1 deri në 5 mln lek grant

Janë hapur këtë të hënë aplikimet për Start Up-et më të mira, apo idetë inovatore dhe lehtësuesit e tyre (aktorë të tretë që ofrojnë shërbime mbështetëse për Start Up-et, p.sh një shkollë, qendra teknologjike etj). Sipas Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, Start-Up-et më të mira do të fitojnë grante për zhvillimin e mëtejshëm nga 1 deri në 5 milionë lekë. Aplikimi do të jetë i hapur deri më datën 5 qershor.

Fillimisht individët e interesuar vetëdeklarohen si Start Up ose lehtësues në portalin e-Albania. Më pas pajisen me pasaportën e Startup-it apo lehtësuesit.

Pas kësaj bëhet aplikimi në faqen e Ministrit ku janë edhe kriteret e kërkuara në tre kategori. Start-up et që janë ende të paregjistruara do të përfitojnë 1.5 milionë lekë grant.

Start Up-et që janë në fazë zhvillimi dhe që kanë deri në një vit operim aktiviteti, do të përfitojnë 3 milionë lekë në formë granti.

Start Up-et që kanë nga 1 vit deri në 5 vjet të regjistruara do të përfitojnë 5 milionë lekë grant.

Dhe në fund, pas dy javëve nga përfundimi i afatit të aplikimeve, shpallen fituesit e ideve që përzgjidhen si më të mira.

Bizneset Start Up në Shqipëri janë shpesherë pjesë e skemave lehtësuese nga qeveria apo bizneseve më të mëdha private, por kapacitetet nuk janë të shfrytëzuara plotësisht.

Në konsultim mbetet ende projektligji i propozuar për Stat Up-et, ku synohet hartimi i një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për krijimin e zhvillimin  dhe mbështetjen e ekosistemit të tyre. Për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve inovative, si dhe modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik.

Kështu, Start Up-et do të mund ta kenë më të lehtë depërtimin në treg, tërheqjen e burimeve njerëzore, por edhe lehtësimin dhe mbështetjen në aksesimin e burimeve financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë