Njerez

Hamilton zemërarti, dhuron 500 mijë dollarë për të ndihmuar Australinë

Imazhet e zjarreve masive që përfshinë Australinë kanë bërë xhiron e botës dhe Luis Hamilton, kampioni i botës në Formula 1, është prekur prej tyre. Në profilet e tij në rrjetet sociale ai ka publikuar një video të një koale të rrethuar nga flakët dhe të shpëtuar nga një grua aktiviste, me ndihmën e zjarrfikësve.

"Më dhemb zemra kur shoh këto pamje, kur shoh shkatërrimin dhe dëmet e shkaktuara nga zjarret ndaj njerëzve dhe kafshëve, - shkruan Hamilton. - Kam vendosur të dhuroj 500 mijë dollarë për të mbështetur personat e impenjuar për të shpëtuar njerëzit dhe kafshët nga zjarret. Nëse ju nuk e keni bërë, kontribuoni tani!” Një apel për të gjithë. Anglezi i Mercedesit gjithmonë ka shfaqur interes për të gjitha temat që lidhen me ambientin, ekologjinë dhe jetën në tokë.

https://twitter.com/LewisHamilton/status/1215319516076498944
Postimi i Luis Hamilton. Gazeta Si 10 janar 2020

Pronarët e rinj të Formula 1, amerikanët e “Liberty Media”, janë bërë në një farë mënyre interpretues të mesazhit të Hamilton me projektin e tyre për të ruajtur ambientin, duke përdorur motorë hibridë. Zjarret në pyjet e Australisë kanë shkatërruar rreth 2000 shtëpi, kanë shkaktuar vdekjen e 25 personave dhe kanë djegur më shumë se 6.3 milionë hektarë tokë. Janë ende 200 vatrat aktive të zjarrit dhe situata mund të përkeqësohet deri në shkurt, pasi janë dy muajt më të nxehtë në Australi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë