Motosport

Hamilton thyen rekordin e të gjitha kohërave të Michael Schumacher (video)

Pistë e re, asfalt i pagomuar dhe reshje të lehta shiu. Çmimi i Madh i Portugalisë kishte çdo rekuizitë për të pasur një start emocionues. Dhe nuk zhgënjeu. Gara e re e futur në kalendarin e këtij kampionati të kushtëzuar nga pandemia ishte një enigmë e madhe për çdo pilot. Dhe e tillë ishte edhe xhiro e parë. Që në start, makinat Mercedes nuk arrijnë të shkëputen dhe e pësojnë duke u parakaluar nga McLaren i Carlos Sainz. Zgjedhja për ta nisur garën me goma të mesme, ndryshe nga makinat e tjera, bëri që dy shigjetat e argjendta mos të kishin temperaturën e duhur për të pasur aderence në asfalt. Ndihmuar edhe nga shiu i lehtë, kjo solli një ngjeshje të gjithë makinave ne xhirot e para, dhe duke na dhuruar për pak momente një imazh qe kishim vite pa e parë: një makinë McLaren që drejton garën. Gjithsesi kjo zgjat për pak, dhe dy makinat Mercedes rivendosin diktatin. Më pas e gjitha është histori. Histori që sot u rishkrua nga Lewis Hamilton, i cili me 92 fitore në total, parakalon Michael Schumacher me 91 fitore si piloti me më shumë suksese ne historinë e F1.

Verstappen vuan nga konsumi i gomave gjatë gjithë garës dhe nuk arrin për asnjë moment të mbajë në distancë kontakti Red Bullin e tij me dy shigjetat fluturuese të Mercedes. Vazhdojnë ndërkohë performancat zhgënjyese të shokut të skuadrës së Verstappen. Anglo-tajlandezi Albon, përfundon i 12-ti dhe dublohet edhe nga shoku i tij i skuadrës. E ardhmja e tij te Red Bull është pothuajse 100% e përfunduar.

Rezultat pozitiv dhe shpresëdhënës për Leclerc. Modifikimet e fundit të implementuara nga Ferrari kanë dhënë frytet e veta dhe këtë here monegasku i kokëkuqes arriti të mbajë pozicionin e nisjes. Ndërsa Sebastian Vettel i rikthehet pikëve, duke përfunduar garën ne vendin e 10-të. Performancë zhgënjyese e krahasuar me Leclerc, diçka që vetë gjermani e ka pranuar.

https://streamable.com/q1hty6

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë