Motosport

Hamilton sulmon F1: Pse heshtin të gjithë përballë racizmit!

Ljuis Hamilton nuk heziton aspak, kur bëhet fjalë për tema të ndjeshme si racizmi. Kampioni i botës në Formula 1 ka përfituar nga popullariteti i tij dhe ka mbajtur qëndrim për këtë temë delikate sociale. Ai ka sulmuar këtë herë Formulën 1, sektorin ku bën pjesë, pasi po qëndron në heshtje totale pas protestave masive ndaj diskriminimit racor që kanë shpërthyer pas vdekjes së Xhorxh Floid, afro-amerikanit të vrarë nga policia në Mineapolis.

Shumë yje të sportit, si për shembull LeBron Xhejms, por edhe personazhe të tjerë publikë, kanë përdorur profilet e tyre në rrjetet sociale për të mbështetur protestat dhe lëvizjen #BlackLivesMatter, duke përfshirë edhe pilotin anglez, Ljuis Hamilton, i cili në Instagram ka shkruar: "Po shoh që shumë nga ju po qëndrojnë në heshtje, jeni yje të njohur dhe po qëndroni pa folur përballë kësaj padrejtësie. Asnjë shenjë nga akush në sektorin tim, që është një sport i dominuar nga të bardhët: unë jam një nga të vetmit njerëz me ngjyrë aty. Mendova se dikush do të thoshte diçka për këtë që po ndodh. E di kush je dhe të njoh".

Hamilton ka dalë në mbështetje të atyre që po protestojnë paqësisht, duke shtuar: “Nuk mund të ketë paqe derisa të ashtuquajturit liderit tanë nuk ndryshojnë. Nuk është vetëm Amerika, është edhe Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Italia dhe çdo vend tjetër. Duhet ndryshuar mënyra si trajtoni minorancat dhe mënyra si edukoni njerëzit në vendet tuaja në lidhje me barazinë dhe racizmin. Kemi lindur të gjithë njësoj, jo racistë dhe me urrejtje në zemrat tona”.

Kampioni i botës e ka denoncuar edhe më parë këtë situatë, duke evidentuar nevojën e ndryshimit brenda sektorit të motorsportit dhe duke treguar edhe dëshirën për të punuar me liderët e F.1 për këtë çështje. "Dua vërtet, në një farë mënyre, të jem pjesë e ndryshimit të formës së F.1, duke bashkëpunuar me FIA-n. Nuk e di pse nuk ka më shumë studentë, inxhinierë, mekanikë dhe as përfaqësues mediesh që të vijnë nga kategori të ndryshme. Ka qenë gjithmonë kështu, por shoh që kemi një mundësi të mirë të bëjmë ndryshimin. Pas 20 vitesh dua të shoh pas dhe të ndjej që kam qenë pjesë e ndryshimit”, - thekson Hamilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë