Motosport

Hamilton shtang Ferrarin në Rusi, Leklerk i treti mes tensionit

Nga dopieta e Ferrarit, te dopieta e Mercedesit. Në Rusi kanë triumfuar Ljuis Hamilton dhe Valteri Botas, të cilët e kanë merituar. Parashikimi ishte për një tjetër sukses të Ferrarit, por strategjia e Mercedesit me goma të mesme u konkretizua në mënyrë perfekte. Kjo edhe falë një “Virtual Safety Car”, që hyri në pistë për të hequr një makinë të dëmtuar. Leklerk, i cili kishte ndërruar gomat dhe ishte në vend të dytë, pas Fetelit, por përpara dy makinave Mercedes, në fund u gjend pas “shigjetave të argjendta”. Bastin për ta nisur me goma të mesme e ka paguar vetë Ferrari.

Një nisje mjaft e mirë e Leklerk, i cili shfrytëzoi momentin, duke kaluar Mercedesin e Hamiltonit dhe më pas edhe shokun e skuadrës te Ferrari. Grosjean në kthesën e 4-t u përplas me barrierat pas një prekjeje me një Alfa. Raikonen u ndëshkua për nisje para kohe. Në skuderinë Ferrari pati tension, kur “Safety car” u fut në pistë për të hequr makinën e Grosjean. Nga komunikimi mes pilotëve dhe drejtuesve të skuderisë u kuptua se nisja e Fetelit ishte studiuar për të “djegur” Hamiltonin. Një manovër e realizuar e ferraristëve, por Leklerk kërkoi që të rimerrte pozicionin e tij, ndërsa Fetel vazhdoi të qëndronte përpara. Më pas dialogu u ashpërsua disi, pasi francezit Leklerk ia kërkua të qëndronte pas Fetelit dhe ta ndërronte pozicionin me të më pas.

Renditja pas "Çmimit të madh" të Rusisë. Gazeta Si, 29 shtator 2019


Në xhiron e 21-të, Norris inauguroi “pit stop”-in, Leklerk në xhiron e 23-të vuri gomat e mesme dhe u kthye në pistë në vend të 4-t, pas Fetelit dhe dy makinave Mercedes. Fetel ndaloi në xhiron e 25-të dhe u rikthye në pistë pas Leklerk. Surpriza erdhi më pas, teksa Fetel e parkoi Ferrarin e tij në kthesën 15 për një problem dhe me futjen e “Virtual Safety Car”, makinat Mercedes rikuperuan kohën. Në xhiron e 28-të sërish “Safety Car” në pistë pasi doli jashtë Rosell. Ferrari vendosi që Leklerk të hynte në bokse kur ishte i dyti. Francezi i sulmoi makinat e Mercedes, por plani i Ferrarit nuk shkoi si duhet. Leklerk bëri gjithçka për të kaluar Botas, por mbeti pas, ndërsa Hamilton e mbylli i pari. Konfirmohet kështu në Rusi tradita e Mercedesit, gjithmonë para të tjerëve.

Renditja e përgjithshme pilotëve. Gazeta Si, 29 shtator 2019


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë