Motosport

Hamilton i ashpër me Ekleston: Komente injoranti, F.1 vuan prej tij

Ljuis Hamilton, pasi ka lexuar deklaratat Berni Ekleston, ka replikuar menjëherë. Nuk mund të rrinte pa folur kampioni i Formula 1, që në Instagram shkruan: “Nuk di nga t’ia filloj”. Duket qartë që është një inat i akumuluar dhe që ka shpërthyer pas fjalëve të ish-pronarit të Formula 1. “Shpesh njerëzit me ngjyrë janë më racistë se të bardhët”, - ka deklaruar Ekleston për “CNN”.

Në të njëjtën intervistë ai i bënte elozhe Hamiltonit, duke thënë: “Ljuis është një njeri special, është një pilot me talent të jashtëzakonshëm, por edhe i zoti në fushatën në mbrojtje të njerëzve me ngjyrë. Është diçka e mrekullueshme, është një punë e madhe dhe njerëzit e dëgjojnë”.

Ljuis Hamilton, kampion i botës në Formula 1. Gazeta Si, 28 qershor 2020

Hamilton i ka lexuar me shumë qetësi fjalën e Ekleston dhe pastaj ka reaguar: “Berni tashmë është jashtë sportit tonë, është pjesë e një gjenerate tjetër. Por ajo që thotë është ekzaktësisht esenca e asaj që ne e quajmë të gabuar. Komentet e tij prej injoranti na tregojnë se sa shumë duhet të punojmë si shoqëri, sepse barazia e vërtetë mund të arrihet”.
Nga fjalitë e tjera të kampionit anglez kuptohet se irritimi i tij është aktual, por ka edhe një lidhje me të kaluarën. Sipas Hamilton, shumë gjëra që kanë ndodhur dhe nuk kanë ndodhur në të kaluarën, në fillimet e tij në F.1, kur ishte i pari pilot me ngjyrë, nuk kanë qenë të rastësishme. Fjalët e Ekleston, sipas pilotit anglez, shpjegojnë në mënyrë perfekte pse gjërat nuk kanë ndryshuar.

“Tani e kuptoj pse nuk është thënë dhe bërë asgjë për ta bërë sportin tonë më të hapur. Nuk është bërë asgjë për të ndalur abuzimet racore ndaj meje gjatë karrierës. Nëse njeriu që ka administruar këtë sport nuk ka sjelljen e duhur ndaj çështjeve me të cilat përballen njerëzit me ngjyrë çdo ditë, atëherë nuk kemi çfarë presim. Nuk i zgjidhin të tjerët këto çështje, gjithçka e ka origjinën nga lart”, - shton Hamilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë