Motosport

Hamilton fiton mes polemikash në Kanada, Ferrari apelon dënimin e Vetel

Ljuis Hamilton ka fituar “Çmimin e madh” të Kanadasë dhe kjo është fitorja e tij e 5-të sezonale, e 7-a radhazi për Mercedesin. Por ka qenë një garë e mbushur me polemika, për shkak të dënimit prej 5 sekondash të Sebastian Vetel, i cili i shkoi shumë afër përplasjes me Hamilton. Piloti gjerman, edhe pse e kaloi i pari binishin, e mbylli në vend të 2-të dhe shfaq tepër i nervozuar pas garës, duke u shprehur se dënimi i tij ishte i padrejtë. Në vend të tretë Çarls Leklerk dhe në vend të katërt Valteri Botas.

Edhe pas atij “pole position” të mrekullueshëm të Vetelit dhe në një pistë ku është favorit në letër, Ferrari nuk ia doli të ndërpresë dominimin e Hamiltonit dhe Mercedesit. Gara e gjermanit ishte thuajse perfekte, por një episod i ka kushtuar shumë shtrenjtë. Pak më shumë se 20 xhiro nga fundi, ai doli nga pista në bar, ndërkohë që anglezi e ndiqte nga shumë afër. Kur u kthye në pistë, Vetel i mbylli paksa rrugën rivalit dhe pas disa minutash pritje u vendos për 5 sekonda dënim për gjermanin. Më pas ishte e pamundur për të rikuperuar ndaj Mercedesit të shpejtë. Sebastian Vetel e kaloi finishin i pari, por fitorja i takoi Hamiltonit. Vendimi i dënimit të Vetelit ka sjellë shumë polemika, ndërsa drejtuesit e Ferrarit janë gati ta çojnë çështjen në Apel. Ata kanë 96 orë kohë për të vendosur, nëse do t’i drejtohen zyrtarisht Apelit, apo jo.

https://twitter.com/F1/status/1137817877032132608
Momenti kur Vetel i zë rrugën Hamiltonit dhe merr dënimin prej 5 sekondash

Skuderia nga Maranelo i ka bërë me dije Kolegjit të Komisarëve të garës në Montreal se do të apelojë kundër dënimit të pilotit gjerman. Ky është hapi i parë formal dhe tani te Ferrari duhet të marrin vendimin përfundimtar. Vetel ka qenë jashtëzakonisht nervoz pas garës. Apelimi mund të jetë një sinjal i fortë nga Ferrari, që duket se e ka humbur peshën e vet politike në Formula 1. Piloti gjerman kërkon të ketë mundësinë t’u shpjegojë komisarëve se nuk kishte aspak qëllimin të krijonte situata të rrezikshme.

Në një garë të mërzitshme, ka bërë një figurë të mirë edhe Leklerk, i cili arriti të mbante vendin e tretë që kishte në nisje, duke i dhuruar Ferrarit për herë të parë një pod të dyfishtë në këtë sezon mjaft të komplikuar.

Renditja e pilotëve pas garës së Kanadasë
Renditja e konstruktorëve

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë