Rendi i ditës në një parlament mund të sinjalizojë fare mirë se çfarë problematikash shqetësojnë një shoqëri. Në Shqipëri, si shembull, Parlamenti diskuton për PPP-të, reformën zgjedhore, shkarkimin e Presidentit, apo kodin penal, që ndoshta tregojnë nivelin ende embrional të demokracisë shqiptare.
Po në një shoqëri si ajo daneze, çfarë diskutohet? Parlamenti vendas u mblodh në fillim të këtij muaji i shqetësuar për fatin e katër elefantëve të blerë nga Qeveria disa vite më parë.
Elefantët Lara, Ramboline, Jenny dhe Djunga kanë qenë pjesë e një cirku. Por tani kafshët kanë dalë në pension dhe autoritetet vendase thanë se kanë pranuar aplikimet për t’i sistemuar kafshët në një azil.
Rastin e katër elefantëve, kryeministrja Mette Frederiksen e solli si shembull në Parlament për të mbrojtur një projektligj që ndalon përdorimin e të gjitha kafshëve për qëllime argëtimi, siç është cirku. Gjatë fjalës së saj ajo lakoi me radhë emrat e elefantëve dhe pavarësisht seriozitetit që i karakterizon danezët për të tilla çështje, të qeshurat në sallë nuk munguan.
Në të njëjtin parlament diskutohet dhe vendoset edhe për çështjen e negociatave për Shqipërinë dhe Danimarka bën pjesë në listën e vendeve skeptike, së bashku me Holandën dhe Francën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.