Lajme

Hakohen llogaritë VIP në Twitter

Hakera të paidentifikuar kanë arritur që të thyejnë sigurinë dhe të marrin nën kontroll llogari personale në rrjetin Twitter të mogulëve të teknologjisë, politikanëve, yjeve të Hollivudit e deri tek kompanitë e mëdha ndërkombëtare, në atë që deri më tani mund të quhet si një “mashtrim me Bitcoin”.

Viktima të këtij sulmi kanë mbetur ish-Presidenti amerikan, Barack Obama, kandidati i demokratëve për President, Joe Biden, Mike Bloomberg dhe një sërë miliarderësh të teknologjisë, përfshirë këtu Jeff Bezos të Amazon, Bill Gates të Microsoft dhe Elon Musk të Teslas. Mes yjeve të muzikës dhe të botës së spektaklit viktima të sulmit kanë mbetur Kanye West dhe Kim Kardashian.

Hakerat, pasi merrnin nën kontroll këto llogari postonin në rrjet një ofertë të rreme, ku u premtonin ndjekësve që t’u dërgonin 2 mijë dollarë në llogari për çdo 1 mijë dollarë që ata do të derdhnin në një llogari anonime Bitcoin.

Për momentin nuk ka sinjale që zotëruesit e këtyre llogarive kanë rënë pre e këtij mashtrimi vetë. Në vend të kësaj, dyshohet se hakerat kanë pasur si qëllim që të joshnin ndjekësit e tyre drejt dhurimit të 1 mijë dollarëve në një llogari anonime Bitcoin.

Stafi i kandidatit demokrat, Joe Biden doli me një deklaratë ku tha se ekipet e sigurisë së Twitter-it ndërhynë brenda pak minutash nga identifikimi i shkeljes dhe hoqën menjëherë postimin në fjalë, ndërsa nga Obama nuk është komentuar ende.

FBI njoftoi se ishte në dijeni të sulmit, por refuzoi që të japë më tepër koment për të. Postimet kanë qëndruar në rrjet për pak minuta.

Kompania Twitter reagoi përmes një serie postimesh ku tha se besonte se sulmi ishte i koordinuar që në shënjestër ka pasur disa punonjës të saj me akses në sistemet e brendshme të kompanisë. Më pas, marrja e kredencialeve të këtyre punonjësve u ka mundësuar hakerave që të marrin nën kontroll llogaritë VIP të rrjetit social.

Kompania tha se bllokoi menjëherë llogaritë e infektuara, duke u ndaluar publikimet dhe hoqi postimet e hakerave. Gjithashtu, si masë parandaluese, Twitter tha se ka bllokuar përkohësisht publikimet nga llogari të dyshuara se mund të jenë prekur nga ky sulm dhe u kërkoi përdoruesve të tyre që të ndryshojnë kodet e sigurisë.

Pavarësisht qëllimit të sulmit, ekspertët besojnë se ky është shembulli më i mirë i sigurisë së dobët të Twitter, që rrezikon që mund të shndërrohet në platformë për aktorë të tretë që të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Llogaria e Bitcoin e përmendur në lidhjen që u shpërnda nga hakerat dyshohet se është krijuar mëngjesin e së mërkurës dhe brenda ditës ka siguruar një shumë prej 114 mijë dollarë. Kjo do të thotë se të paktën 114 persona kanë rënë pre e mashtrimit, nga miliona ndjekës që përbëjnë në total llogaritë e prekura.

Burimi Euronews. Përshtati në shqip www.gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë