Ngjarje

Hajduti i shtëpisë/ Gruaja denoncon burrin: Vodhi paratë, i linte në kumar

Në fillim të vitit hyri në fuqi ligji kundër lojërave të fatit. Dhjetëra biznese të basteve sportive që ekzistonin deri më 31 dhjetor ulën qepenat dhe nxorën në shitje orenditë. Gjatë gjithë vitit, policia në kërkim të zbulimit të bixhozxhinjve që luajnë baste fshehtas ka raportuar pothuajse përditë “suksesin”, kryesisht të referimeve në prokurori të shtetasve që organizojnë ilegalisht lojëra fati. Por, ndërsa duket sikur autoritetet ia kanë dalë mbanë, historia që Gazeta “Si” do të sjellë ekskluzivisht sot  tregon se tregu i bixhozit (ashtu siç kemi raportuar edhe më herët) vazhdon. Ndryshimi është se nëpër objekte nuk vendosen hapur tabelat që të ftojnë hapur për baste sportive.

Denoncimi

Siç mëson ekskluzivisht Gazeta “Si”, gruaja e cila quhet Zamira D., pasi ka duruar gjatë vesin e të shoqit ka vendosur të flasë hapur me efektivët blu. Kallëzimi i nënës së një vajze 10-vjeçare, mban datën 4 nëntor 2019 dhe duhet thënë është një nga më të rrallët. Kjo pasi edhe më herët kur bixhozi lulëzonte, askush nuk trokiste për të qarë hallin pranë autoriteteve, për të afërm të rrethit të ngushtë. Aq më tepër gratë. Por siç  tregojnë dokumentet, vjen një moment që duhet thënë mjaft dhe kështu ka vepruar 35-vjeçarja që jeton në rrugën “Myslym Shyri” dhe punon për të mbajtur familjen, por edhe martesën. Ajo e ka denoncuar Florian D. me të cilin është e martuar prej një dekade, duke e akuzuar për vjedhje. Ai nuk ka vjedhur vetëm një shumë të hollash, por siç kuptohet ka thyer edhe besimin e partneres, së cilës i ka sosur durimi. Ai kishte kërkuar e rrëmuar nëpër sirtarët e rrobave në shtëpi, i kishte harxhuar lekët në bixhoz dhe pastaj ishte zhdukur për disa ditë.

Rrëfimi

Zamira sikurse evidentohet në materialet që Gazeta “Si” disponon, kishte mbledhur lekë borxh nga të afërmit për të kryer një operacion akut. Gruaja tregon “pas ndërhyrjes më tepruan  rreth 800 euro dhe këto i mbaja në shtëpi duke mos ia treguar bashkëshortit, për shkak se mund t’i merrte dhe t’i prishte, pasi luan bixhoz. Dua të them që këto para i   kisha futur në dollapin e rrobave, në një pjesë kartoni të mbuluara me çarçafë. Ishin të prerjeve; 4 copë 50-she dhe pjesa tjetër ishin 20-she. I kontrolloja shpesh dhe para një jave i pashë në vendin ku i kisha fshehur. Një ditë më pas im shoq nuk erdhi në shtëpi. Ai nuk u kthye edhe gjatë natës. Kjo gjë më bëri menjëherë të dyshoj, pasi një veprim të tillë ai e bënte kryesisht kur merrte para në shtëpi dhe nuk vinte në banesë. Herë pas here kur e bënte këtë gjë, ai linte edhe letra të shkruara ku thoshte “e kam bërë unë, paratë i kam marrë për të luajtur”. Ai më thoshte më tej “s’jam për familje e gjëra të tilla”. Duke  menduar këtë gjë shkova dhe kontrollova te vendi, lekët nuk ishin. E kam telefonuar dhjetëra herë, por telefoni i bashkëshortit ishte i padisponueshëm. Në mëngjes u nisa për punë dhe qëndrova deri në orën 16:30 dhe kur shkova në shtëpi kuptova që ai kishte qenë në shtëpi dhe kishte dalë sërish”, tha ajo në dëshminë e saj që e ka siguruar Gazeta “Si”.

I denoncuari për vjedhje, i cili është i moshës 39 vjeç, quhet Florian D. Ai punon në një fabrikë dhe siç thotë policia burri ka munguar disa ditë me radhë në shtëpi. Siç kuptohet, qëllimi i tij ka qenë shmangia prej gruas me të cilën ai është i martuar prej vitesh, kryesisht të pyetjes së saj mbi vesin e bixhozit. Por, siç mëson Gazeta “Si”, në të vërtetë pas kallëzimit për vjedhje, 39-vjeçari nuk u është shmangur dot forcave të policisë, të cilat e kanë kërkuar ngado dhe pasi e kanë gjetur, e kanë dërguar në drejtorinë qendrore ku dhe e kanë marrë në pyetje. Fillimisht si një të dyshuar dhe pastaj si një të akuzuar.

Ai pranoi thotë një burim i Gazetës “Si”, që i ka vjedhur paratë në shtëpi. Por ky krim ka ndodhur për shkak të “vesit”, pra varësisë nga bixhozi.

Floriani tregon: Kontrollova rrobat, kontrollova një kuti lart ku mbaheshin çarçafët apo jorganët, aty gjeta shumën e eurove. Ditën e parë mora 100 euro dhe shkova te Tajvani me qëllim për të luajtur kompjuterë, pasi luajta i harxhova. Në të njëjtën ditë u ktheva prapë në shtëpi. Mora edhe 200 euro të tjera. I humba edhe ato. Të nesërmen mora 100 euro të tjera, shkova përsëri te Tajvani te lojërat e fatit, dhe përsëri humba. Pjesën e mbetur e harxhova në ditët në vazhdim. Kur i humba të gjitha, kam ecur në këmbë pa asnjë orientim. Isha shumë i stresuar për paratë që humba. Shkova nga Liqeni Artificial. Mendova të hyja në liqen e të mbytesha, por mendova për vajzën dhe nuk e bëra atë veprim. Gjithë natën vetëm kam ecur. Nuk shkova fare në shtëpi. Fjeta në lulishten e spitalit. Isha shumë i mërzitur dhe kjo pasi luaj bixhoz”, tha ai në dëshmi.

Por si mundi gruaja pa pasur nevojën e policisë të zbulonte se kush ishte hajduti në shtëpinë e saj?

Me atë që shkruhet në materialin e policisë që Gazeta “Si” e disponon, kuptohet qartë që ajo i njeh mirë sjelljet e njeriut me të cilin ajo është martuar. Në procesverbalin e oficerit të policisë gjyqësore Ervis Brahja përmenden detaje shtesë.

Oficeri e pyet gruan: A mund të na thoni se a ka marrë herë të tjera para në shtëpi Florian D.?

Zamira: Kjo gjë ka ndodhur shumë herë. Ai ka marrë nga 500 mijë lekë deri në 200 mijë të vjetra. Këto ishin para që unë i grumbulloja herë pas here nga kursimet e mia. Kurseja shumë, pasi e dija që im shoq luante bixhoz si ato të ndeshjeve dhe të kompjuterëve. Ndaj kërkoj që im shoq të ndiqet penalisht për paratë e marra në shtëpi dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë gjë.

Oficeri e pyet për sjelljen e bashkëshortit pasi ai merrte lekë në shtëpi dhe ajo në këtë pikë tregon se sa herë 39-vjeçari kontrollonte shtëpinë dhe vidhte para, ai përherë “zhdukej”. Është pikërisht ky tipar i   bixhozxhiut që  e ka bindur të zonjën e shtëpisë se hajduti ishte i brendshëm.

“Jam e bindur që ai i ka marrë paratë. Florjani ka shumë borxhe te rrethi shoqëror dhe këtë e kam mësuar nga persona të afërm. Ai po ashtu ka marrë edhe kredira nëpër banka, të cilat ende nuk i ka shlyer”, tha ajo.

Nuk është dashur shumë përpjekje edhe për policinë që ta zbulojë hajdutin, i cili është hajduti më i paprecedent, është hajdut i shtëpisë së tij dhe për këtë akuzë do të përballet me autoritetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë