Politike

Hajdari: Më kanë kërcënuar me jetë, merrni masa para se të ketë viktima në Parlament

Sherri brenda grupit parlamentar të opozitës së re “Demokrat” është rishfaqur sërish në seancën e sotme parlamentare. Deputetja demokrate Rudina Hajdari ka deklaruar se është kërcënuar dhe se ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të marrë masa që të mos ketë ndonjë vrasje.
“Zoti kryetar, ju kam dërguar një shkresë në lidhje me kërkesës që të siguroni ambientet e Kuvendit dhe të kryesisë së Kuvendit, nuk mund të ndodhë që një femër të kërcënohet, kam pasur raste në zyrën time ku persona më kanë kërcënuar. Ju lutem merrni masa se përpara se të kemi ndonjë një viktimë në Parlament. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë, asnjë deputet nuk duhet të hyjë me njerëz të tjerë dhe për të kërcënuar. Më duhet një përgjigje në lidhje me atë shkresë e të merren masa sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Hajdari.
Deputetja demokrate i referohet ngjarjeve brenda grupit të saj, ku ka pasur përplasje të forta në lidhje me zhvillimet brenda grupit, ku ka akuzuar deputetin Korab Lita se së bashku me deputetët e tjerë kanë kërcënuar për firmat e marra për ndryshimet brenda drejtuesve. Në lidhje me këtë kërkesë kryeparlamentari Ruçi u shpreh se shkresën e ka marrë në dorëzim dhe ia ka përcjellë Ministrit të Brendshëm, i cili pritet të marrë masa për gjithë shqetësimet që ajo ka ngritur.
“Zonja Hajdari, e kam marrë shkresën tuaj, punonjësit do të bëjnë detyrën dhe e kam përcjellë dhe mund t’i ketë vajtur ministrit të Brendshëm, të merren masat për të gjitha shqetësimet që keni ngritur në shkresën tuaj”- tha Ruçi.

Lita mohon akuzat: Edhe unë mund të jem kërcënuar

Korab Lita, kryetari i grupit parlamentar “Demokrat” që pretendon të jetë ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar nga kryetarja e tjetër e të njëjtit grup, Rudina Hajdari se është kërcënuar. Ai ka hedhur poshtë se e ka kërcënuar Hajdarin madje ka zbuluar se dy ditë më parë është takuar me deputeten në zyrën e saj. “Une jam koleg me zonjën Hajdari jam deputet si zonja Hajdari dhe nuk përgjigjem për sigurinë në Kuvend, përgjigjen strukturat e sigurisë. Unë dhe zonja Hajdari jemi kolegë e shkojmë e takohemi në zyrë përditë. Ditën e mbledhjes, para dy ditësh jemi takuar dhe nuk kemi pasur debate”, theksoi Lita. Sa i takon akuzave direkte të lëshuara nga Hajdari në adresë të tij, Lita u shpreh se “në gjaknxehtësi e sipër thuhen këto gjera, por s’ka problem, ne jemi kolegë e s’ka asgjë. Jo nuk e di nëse është kërcënuar, unë nëse ka terren për kërcënim jam njësoj si zonja Hajdari mund të jem i kërcënuar edhe unë”, tha ai përpara gazetarëve. Ndërsa deputeti Halit Valteri shprehet se zonja Hajdari mund të bëjë vetë publike faktet që disponon, duke shtuar se ai vetë nuk është kërcënuar nga ndonjë deputet. “Nëse unë kërcënohem nga ndonjë deputet, atë herë është e kotë që ata që e ndërmarrin atë të qëndrojnë në sallën e Parlamentit”, theksoi Valteri.


Para Hajdarit, në seancë foli edhe Korab Lita, i cili vijon të pretendojë se është kryetari i grupit parlamentar “Demokrat”. Ai akuzoi Ruçin se po ndërhyn në çështjet e grupit parlamentar. “Ju e shkelët Rregulloren, sepse nuk ishte në kompetencën tuaj. Në këtë këndvështrim grupi Demokrat ka marrë në konsideratë kërkesat për anëtarësim në grupin parlamentar. Dhe grupi Demorkat në mbledhjen e datës 24.10.2019, pasi diskutoi kërkesën e 5 deputetëve, vendosi të mos pranojë. Grupi do të vazhdojë të ketë 9 anëtarë, bashkangjitur keni edhe kopje të mbledhje dhe në përfundim me 5 vota pro dhe tre kundër, është vendosur që të mos ketë asnjë anëtar të ri”, tha Lita.

Deputeti demokrat Korab Lita


Për këtë përplasje, Ruçi i ka sqaruar edhe një Litës procedurën, duke shtuar se nuk është e nevojshme që problemet e grupit t’i shfaqin në seancën parlamentare. “Zoti Lita, bëni fajtor Kuvendin e kryetarin e Kuvendit për mosmarrëveshjen e grupit. Ku merr pjesë deputeti dhe në cilin grup është e drejtë ekskluzive e tyre dhe s’keni pse lançoni në ambientet e Kuvendit në ato që keni lançuar më përpara. Kush largohet nga një grup parlamentar është e drejtë ekskluzive e deputetit, e është e drejtë ekskluzive e grupeve parlamentare të përjashtojnë, me këtë s’ka punë as kryetari e as seanca e Parlamentit . S’ka punë as kryetari e as seanca se kush do të jetë kryetari i grupit. Problemet që kini brenda vetes, uluni, i zgjidhni, i konkludoni sipas rregullave demokratike të rregullores së Kuvendit”, theksoi Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë