Politike

Hajdari kërkon ndryshim të sistemit dhe zgjedhje të parakohshme

Mazhoranca socialiste ka paralajmëruar miratimin e ndryshimit të Kodit Zgjedhor brenda muajit dhjetor në Parlament. Kryeministri Edi Rama ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij për miratimin e paketës ligjore që përfshin amendimet e Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të bëra nga ana e OSBE-së dhe ODIHR-it, të nxjerra në raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Gazeta Si ka mësuar se janë ngritur grupe pune si nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe një grup ekspertësh të reformës zgjedhore. Grupi i fundit është ngritur me ndërmjetësimin e ambasadës gjermane, ku ekspertët janë të atashuar pranë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Presioni i mazhorancës ndaj opozitës parlamentare është që të miratojnë reformën zgjedhore brenda muajit dhjetor, duke u fokusuar vetëm rekomandimet e OSBE-së dhe të ODIHR-it. Ky qëndrim duket se po krijon përplasje me opozitën e re parlamentare, e cila ka vendosur si kusht të sajin ndryshimin e sistemit zgjedhor. Bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, demokratja Rudina Hajdari nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka ripërsëritur kushtin e saj për ndryshimin e sistemit. Madje ajo ka avancuar duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe ripërsëritje të zgjedhjeve lokale.
“Zgjidhja është vetëm 1, brenda Dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008, të miratohen rek OSBE/ODHIR-it dhe vetëm më pas të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare e lokale dhe ta ndreqim këtë vend. Boll me kryetarë perandorakë që e kanë shkatërruar demokracinë në këtë vend”, shkruan Hajdari.

https://twitter.com/rudina_hajdari/status/1186198418609319936


Sakaq kryesocialisti Edi Rama, pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarin e komisionit, Damian Gjiknuri, kryetarin e grupit parlamentar të PS-së dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Në këtë takim është diskutuar për sa i përket çëshjes së reformës zgjedhore dhe mundësisë miratimit të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor brenda këtij sesioni parlamentar.

Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe Gramoz Ruçi, duke dalë nga mbledhja e sotme e Kryesisë së PS-së. Gazeta Si, 21 tetor 2019


Socialistët janë për variantin të diskutimit në një kohë të dytë çështjes së sistemit zgjedhor, si dhe të votës së emigrantëve, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e opozitës së re në Parlament. Ndërkaq kryeministri Edi Rama edhe sot deklaroi se “duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, pra të ecim përpara me reformën zgjedhore dhe të miratojmë në Kuvend rekomandimet e OSBE/ODIHR si pjesë të parë”.
“Reformën zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që do të duan të marrin në proces, siç përcaktohen në pikën përkatëse të Bundestagut gjerman, në Parlament, ka një opozitë atje dhe ka një karrige bosh të opozitës jashtë parlamentare, por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do ta miratojmë reformën zgjedhore”, deklaroi Rama pas mbledhjes së Kryesisë. Ndërkaq opozita e re po përjeton një situatë përplasjesh pas tentativë disa deputetëve për të shkarkuar Rudina Hajdarin nga kryetarja e grupit parlamentar “Demokrat”. Përçarja brenda opozitës së re në Parlament mund të shoqërohet edhe me ndonjë rrjedhje të votave nga grupi i opozitës, duke bërë që mazhoranca të arrijë 84 votat pro ndryshimit të Kodit Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë