Politike

Hajdari i shkon Metës në zyrë: Loja e vjetër politike të marrë fund

Rudina Hajdari konfirmoi zërat se ka patur një takim me Presidentin Ilir Meta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo zbulon edhe se çfarë ka biseduar me kreun e shtetit.

“I kërkova Kryetarit të Shtetit, Presidentit të Republikës, dhe në vazhdim do ia kërkoj edhe Kryeministrit e të gjithë faktorëve politikë, që të ndalin urgjentisht lojën e vjetër dhe të shëmtuar politike e cila ka vënë në shënjestër institucionet e drejtësisë me qëllim delegjitimimin e tyre”, thotë ajo.

Hajdari akuzon të gjithë klasën politike se për 3 dekada ka deligjitimuar dhe dobësuar qëllimisht institucionet.

“Në mënyrë që i vetmi autoritet në vend të ishin kryetarët e dy apo tre partive. Prandaj për 29 vite Shqipëria ka parë shumë krim dhe aspak ndëshkim”, vijon deputetja.

Sipas Rudina Hajdarit, tani është koha që kjo lojë të marrë fund.

“Vendi, sot më shumë se kurrë, ka nevojë jo për burra që hiqen si të fortë para kamerave, por për institucione të forta të cilat japin drejtësi për të gjithë, të varfër apo të pasur, me apo pa pushtet. Ka ardhur koha që vendin ta qeverisin institucionet, ligji dhe Kushtetuta”, mbyll reagimin e saj deputetja e grupit parlamentar demokrat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë