Ne rrjet

Haga arreston ish-shefin e inteligjencës së FSK-së për krime lufte në Kosovë

Haga ka arrestuar sot zyrtarin e parë në Kosovë nën akuzat për krime lufte. Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka urdhëruar arrestimin e Sali Mustafës, i cili është transferuar në njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara dhe do të dalë “pa vonesë para gjykatësit”.

Prokuroria nuk dha më shumë hollësi për arrestimin dhe as për akuzën kundër zotit Mustafa i cili ishte marrë në pyetje vjeshtën e vitit të kaluar. Ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999, për të shërbyer më pas me Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku mbante postin e shefit të inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Misioni i Bashkimit Europian për sundimin e ligjit, tha se i ka ofruar “mbështetje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë, në pajtim me ligjet e Kosovës”.Ky është arrestimi i parë i kryer nga ky institucion, i cili heton pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Kush është Sali Mustafa?
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës. Gjatë veprimtarisë ilegale, u arrestua nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit në vitin 1993 dhe u dënua me 5 vjet burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa u angazhua për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës. Ka udhëhequr njësitet guerrile të UÇK-së nën emrin “BIA” deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut. Pas përfundimit të luftës, fillimisht shërbeu si shef i Departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë