Futboll

Gvardiol firmos me Mançester Sitin, transferim rekord prej 90 milionë eurosh

Gazeta Si - Joshko Gvardiol është zyrtarisht lojtar i Mançester Sitit. Mbrojtësi kroat do të mbajë fanellën me numër 24 te kampionët e Europës. Lojtari me ‘mbiemrin e mrekullueshëm', siç ka thënë Pep Guardiola, ka firmosur deri në 2028-ën me ‘qytetarët’.

Gvardiol ka lënë Lajpcigun, që ka fituar 90 milionë euro nga ky transferim, që thyen edhe rekordin e blerjes së Herri Meguajër nga Mançester Junajtid për 87 milionë euro.

“Të gjithë e dinë që Mançester Siti është skuadra më e mirë në botë, - ka thënë futbollisti 21-vjeçar kroat. – Të luaj me këtë skuadër është diçka speciale për mua. Dua të mësoj nga më të mirët dhe të stërvitem nga trajneri më i mirë që është aktualisht”.

Gvardiol nuk është në dispozicion të skuadrës së re për ‘Community Shield’ që luhet në ‘Wembley’. Debutimi i tij me fanellën e Mançester Siti është shtyrë për javën e parë të Premier Ligës, të premten në fushën e Burnleit. Trajneri Guardiola bën një goditje shumë të rëndësishme në merkato, duke marrë një nga mbrojtësit më të mirë në qarkullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë