Futboll

Guardiola: Në finale nuk hyn në punë historia, do na duhet durim ndaj Interit

Gazeta Si - "Është ndeshja e fundit e sezonit dhe duhet ta luajmë në mënyrën më të mirë që ta fitojmë. Për ne është një ëndërr që jemi ketu, ishim edhe dy vjet më parë, por ishte ndryshe nga Covid-i, tani jemi sërish".

Këto janë fjalët e Pep Guardiolës, trajnerit të Mançester Sitit gjatë konferencës së shtypit në media-day, në prag të finales së Championsit, që luhet të shtunën në Stamboll.

"Është një finale dhe e kaluara nuk ka të bëjë. Interi ka më shumë histori se ne, por nuk ka rëndësi, ashtu si dhe rrugëtimi që ke bërë për të ardhur këtu, apo të kesh fituar Premier Ligën, FA Cup, grupin në Champions. Ka rëndësi vetëm ajo që bën në ato 90 minuta të finales”, - ka shtuar Guardiola.

Trajneri spanjoll i Sitit, Pep Guardiola. Gazeta Si, 6 qershor 2023

Për kundërshtarin, trajneri spanjoll ka theksuar: "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Nuk është e lehtë të sulmosh sistemin e tyre mbrojtës, duhet të kemi durim. Do të na duhet ritmi i duhur, ata janë mësuar t’i dominojnë ndeshjet në Itali.

Duhet ritëm i lartë, por edhe durim, sepse sa më shumë kalon koha, aq më shumë rritet tensioni. Interi ka skema të mira loje, ndaj dhe duhet të mbrojmë mirë. Është një finale ndaj një skuadre shumë të mirë, por jemi optimistë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë