Politike

“Grushti i shtetit”, Balla: Kapriço e Metës. Ta zgjidhë, lider i opozitës apo president

Partia Socialiste reagon ndaj qëndrimeve të forta të presidentit Ilir Meta dhe akuzave ndaj mazhorancën për grusht shteti për kapjen e institucioneve kushtetuese. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se “rruga europiane e Shqipërisë të cilën e mbështesin më shumë se 97 % nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e asnjë individi”.
"Ka individë që harrojnë se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratat e integrimit europian prandaj dua t’ju them shumë qartë e do t’ju kërkoja mirëkuptimin tuaj mos harxhoni më kot me transmetime pa fund të historive idioteske grushte e mos grushte shteti. Duhet të jemi në një moment ku vëmendja e shqiptarëve të jetë tek procesi i rindërtimit”, theksoi Balla.
Kreu i grupit të mazhorancës u shpreh se Shqipëria është republikë parlamentare dhe se afati 10 ditor i përcaktuar nuk është një marrje e kompetencave.
“Nuk kemi krizë me presidentin. Ka presidenti krizë me Ilir Metën dhe këtë duhet ta zgjidhë presidenti me Ilir Metën, që do të thotë që Meta të ndajë përfundimisht nëse do të jetë një prej liderëve të opozitës apo do të vijojë të jetë presidenti i vendit. Ai është një institucion në hetim parlamentar për shkelje të renda të Kushtetutës dhe shkeljet e rënda, nëse Komisioni Hetimor Parlamentar i gjen bazuar në hetimin që po bën, është Komisioni Hetimor që në vijim të praktikës së bashkëpunimit me Venecian, ka kërkuar edhe ekspertizën e saj, dhe nëse Kuvendi voton me 94 vota shkarkimin, kjo procedurë i kalon kushtetueses. Në aspektin e të drejtës kushtetuese, gjithë beteja e presidentit në emër të Gjykatës Kushtetuese më duket si përpjekja e një personi të vënë në akuzë që sulmon gjyqtarin e çështjes. Hallet e shqiptarëve janë tërësisht të ndryshme nga halli i Ilir Metës”, deklaroi Balla.
Ai shtoi se Meta është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. “Presidenti aktual është pjesë e lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon që Meta ka kthyer Presidencën në një prej selive të opozitës. Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Lulzim Basha organizon me opozitën brenda në selinë e PD, edhe pse Kushtetuta nuk e lejon" u shpreh Balla. Deklaratat u bënë në një prononcim për median, pas takimit me reporteren e Parlamentit Europian, Isabel Santos.
Për debatin e marrjes së kompetencave me betimin e anëtarëve, Balla u shpreh se Shqipëria është republikë parlamentare dhe se nuk duhet të përsëritet historia që dekretet nuk merreshin e votoheshin në Parlament e mbaheshin në sirtare. “Shqipëria është republikë e pastër Parlamentare, Kuvendi ka vendosur që asnjë institucion, qoftë ky edhe presidenti nuk mund të bllokojë ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Në asnjë rast as Presidenti, apo Kuvendi nuk mund të ecë me parimin të vendosë kur të teket për dekret apo emërimet në institucionet kushtetuese. Besoj se është një zgjidhje shumë e mirë, 10 ditë janë kohë shumë e mjaftueshme që një institucion të vendosë për të dekretuar ose jo”, shtoi ai.
Sa i përket reformës zgjedhore, Balla bëri thirrje për një konsensus sa më të shpejtë me PD-në dhe me opozitën e re parlamentare, ku edhe pse sipas tij, procesi ka ecur shumë mirë, 15 marsi është shumë afër. Ndërsa theksoi se do të shqyrtohet edhe kërkesa e opozitës së re për sistemin zgjedhor, por ai vlerësoi sistemin aktual, pasi është provuar vetëm në tre palë zgjedhje dhe se është herët të ndryshohet.

Reagimi i Presidencës, i kujton “kapjen” e ambasadorëve
Pas këtij reagimi të mazhoracnës erdhi edhe replika nga Presidenca nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, i cili me ironi i kujtoi se Rama ka tre herë që ka festuar hapjen e negociatave të Shqipërisë.
“Ka harruar që ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kyç për çeljen e tyre. Po ligjin anti-kushtetues Dvorani pse e miratuat pa pritur Venecian? S’ka nevojë, thotë Tao Tao, sepse pamë disa sugjerime që Venecia u ka dhënë disa vendeve të tjera që kanë Kushtetutë tjetër nga e jona, dhe s’mund të ndalonim ta bënim fakt të kryer ligjin mafioz të rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese. Po me ish-ambasadorin e nderuar Cutillio që ju lutët të dilte në TV e të vinte në diskutim dekretin e Presidentit si do ia bëni? Apo s’ka problem se ai iku e s’merr vesh që ju e pretë në besë. Po me ambasadën e SHBA si do ia bëni, se edhe ajo bëri goxha deklaratë për të thirrur Venecian? Se ju si proamerikanë të paparë s’lëvizni asnjë presje pa u konsultuar me ta?”, shkruan Blushi
Ndërsa e paralajmëron se presidenti deri më 2 mars do të nxjerrë fakte të reja për tentativat e saj që e cilësojnë si kapje të shtetit.
“Duan të sabotojnë ndihmat (borxhet) thotë Tao. Vetëm një PPP e tyre shkon 1 miliardë euro. Edhe 20 miliardë euro borxhe të japë bota, duke rrëmbyer Gjykatën Kushtetuese në mënyrë mafioze nga kjo bandë, asgjë nuk do shkojë në xhepat e shqiptarëve, por në xhepat e tyre dhe të disa kreditorëve. Ah po, shqiptarët do fitojnë si gjithmonë shumëfishimin e taksave. Fakte të reja do dalin Tao, dhe ti ke kohë deri në 2 mars të marrësh kthesën e radhës, siç e merr gjithmonë”, thekson me ironi Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë