Nga Gazeta Si – Konflikti i rradhës në Kategorinë Superiore ka emrin “Gruda”, futbollisti shkodran që ndërpreu fazën përgatitore me Vllazninë dhe firmosi për kampionët e dyfishtë të Egnatia-s që e përfshiu në listën për ndeshjet në UEFA Champions League ndaj Breidablik (sot u bë dhe zyrtarizimi). Një ditë më parë, Drejtori i Vllaznisë, Vioresin Sinani deklaroi – “Ne e konsiderojmë Grudën një pjese të rëndësishme të Vllaznisë dhe trajneri Martini e vlerëson maksimalisht si futbollist. Ai është nën kontratë me Vllazninë dhe besoj se të shtunën kur ekipi të rikthehet në fushën e stërvitjes, ai do të jetë i pranishëm”.

Ndërkohë sot ishte vetë Ildi Gruda që i mbylli derën Vllaznisë. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Gruda i falenderoi të gjithë për mbështetjen gjatë dy viteve të fundit në Shkodër por nuk tha asgjë për skuadrën e ardhshme. Tani pritet reagimi i Vllaznisë që pretendon se Gruda është ende nën kontratë me ta. Ky nuk është konflikti i parë i këtij lloji në futbollin tonë, që ka përfunduar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF ose në rastin më të keq në Gjykatën Sportive në Lozanë. Egnatia do të luajë në 8 Korrik në shtëpi ndaj Breidablik (raundi i 1-rë kualifikues në UCL). Ndërsa Vllaznia do të presë dy ditë më vonë në “Elbasan Arena” rivalët e Daugavpils (raundi i 1-rë kualifikues në UECL)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.