Njerez

Gruaja që jetoi deri 99 vjeç me organet në anën e djathtë

Një grua në SHBA, e cila vdiq në moshën 99-vjeçare për shkaqe natyrore, kishte jetuar me organet e saj në anën e gabuar të trupit për shkak të një gjendjeje gjenetike të rrallë.
Rose Marie Bentley, pronare e një dyqani me ushqime për kafshët, përpara se të vdiste në tetor të 2017, la një nënshkrim ku thuhej se donte të dhuronte trupin e saj për studime në Universitetin e Portland, Oregon.
Studentët e degës së anatomisë ishin të parët që vëzhguan se shumë prej organeve të saj nuk ishin aty ku duhej. Pavarësisht nga vizitat e shumta që kryente, gjendja e saj kurrë nuk ishte identifikuar nga mjekët. Ata shprehen se janë habitur që zonja Bently kishte mundur të jetonte shëndetshëm aq gjatë pavarësisht nga gjendja e saj.

Ajo kishte gjendjen "levocardia me situs inverses", që do të thotë se mëlçia, stomaku dhe organet e tjera të barkut ishin kthyer në anën tjetër, duke krijuar një "panoramë anatomike anormale". Megjithatë zemra e saj ishte në anën e majtë të trupit.
“Gjendja e saj ishte e pazakontë,” tha Cam Walker, një profesor i anatomisë në Universitetin e Shëndetësisë dhe Shkencës në Oregon, i cili ndihmoi studentët të zbulonin misterin e trupit të zonjës Bentley.
Walker tha se zbulimi filloi ndërsa studentët e tij ishin duke hapur kraharorin dhe nuk mundën të gjenin vena gjaku të mëdha, më tej ata kuptuan se trupi i zonjës Bently ishte unik.

Kjo gjendje është e rrallë dhe ndodh një herë në çdo 22.000 lindje. Sipas mjekëve ky rast nuk është i zakonshëm, sepse personat e tjerë me të njëjtën gjendje kanë pasur zemrën në anën e djathtë, prandaj i gjithë trupi kishte anomali.
Ndër të tjera Walker shprehet se vetëm një në 50 milionë të lindur me këtë gjendje jetojnë në moshë madhore. Ai dhe kolegët e tij besojnë se zonja Bentley mund të jetë personi më i vjetër në botë që ka jetuar me këtë anomali.
“Asnjëherë nuk kam parë një gjë të tillë më parë dhe mendoj se edhe për studentët kjo është diçka e veçantë,” u shpreh Walker.
Zonja Bentley jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj në Oregon. Louise Allee, një nga pesë fëmijët e saj u shpreh se, nëse nëna e saj do të ishte gjallë do të kënaqej më vëmendjen që po merrte.
Gjithashtu, ajo tha se zonja Bentley kishte pasur një jetë të shëndetshme dhe e vetmja sëmundje që kishte pasur ishte artriti.
Si bashkëshorti i saj dhe zonja Bentley, vendosën që të dhuronin trupat e tyre për universitetin. “Nëse ajo do ta dinte këtë fakt për veten, do të ndjehej shumë e veçantë,” tha Allee. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë