Kuriozitete

Gruaja e zhdukur gjendet në një kanion, mbijetoi 5 muaj duke ngrënë bar dhe pirë ujë lumi

Një grua nga Utah në SHBA, e cila u zhduk nëntorin e kaluar, u gjet e gjallë në një çadër kampingu brenda “Diamond Fork Canyon”.

47-vjeçarja - identiteti i të cilës nuk është zbuluar ende - mbijetoi për më shumë se pesë muaj falë ngrënies së barit, myshkut dhe pirjes së ujit të një lumi aty afër.

Zhdukja e saj u raportua së pari nga punonjësit e Shërbimit Pyjor të SHBA-ve, të cilët, duke u përgatitur për mbylljen sezonale të kanionit, e gjetën makinën e saj të braktisur në një parking.

Siç raportohet nga gazeta britanike "The Guardian", "autoritetet policore, gjatë një kontrolli ajror në zonë, gjetën prova se ajo mund të ishte akoma gjallë".

Gruaja "kishte vetëm një sasi të vogël ushqimi me vete dhe tha se mbijetoi duke ngrënë bar dhe duke pirë ujë nga një lumë aty pranë".

Spencer Cannon, Sherif i Qarkut të Utah-ut, shtoi se gruaja nuk kishte dëmtime fizike, por që në kohën e zbulimit, “ajo ishte e dobët dhe nën peshë. Ne jemi të lumtur që kemi mundur të kontaktojmë me të”, - tha ai.

Më pas, gruaja u dërgua në spital. Sipas analizave dhe pyetjeve të para që ajo iu përgjigj, 47-vjeçarja nuk ka një familje dhe gjithashtu kishte huazuar ushqim nga disa turistë që takoi.

Prandaj, ajo mund të ketë zgjedhur me vetëdije t'i kalojë këto muaj në izolim: “Ne jemi të bindur se ajo vetë ka vendosur të qëndrojë në zonë. Ne gjithashtu po vlerësojmë problemet e shëndetit mendor që ekzistojnë më parë. Shumë njerëz nuk do të zgjidhnin të jetonin në të njëjtat kushte, por ajo nuk ka bërë asgjë të paligjshme”, - shtoi sherifi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë