Ngadalësimi i fushatës së vaksinimit për shkak të uljes së numrit së dozave të shpërndara nga kompania amerikane Pfizer në Bashkimin Europian ka bërë që Greqia të konsiderojë marrjen e vaksinës ruse Sputnik-V. Lazaros Karnesis, mjek i përgjithshëm dhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Vaksinimit njoftoi se qeveria greke është vënë në lëvizje për përdorimin e vaksinave ruse.
Sipas tij, vaksina ruse ka treguar që është efektive dhe së shpejti do të marrë aprovimin. Sa më shumë vaksina, aq më mirë, theksoi ai.
Lëvizja e Greqisë vjen pasi Gjermania njoftoi publikisht se po konsideronte po ashtu përdorimin e vaksinës ruse. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se është i hapur për përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara në Rusi ose Kinë.
“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha Spahn për Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ai tha megjithatë se vaksina kundër koronavivrusit duhet të kalojë nëpër një proces të gjatë autorizimi.
Këto lëvzje të Italisë dhe Greqisë vijnë ndërkohë që Europa po përballet me vonesa të dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.
Të premten, më 29 janar, Rusia tha se do të jetë në gjendje, ta furnizojë Bashkimin Evropian me 100 milionë doza të vaksinës së saj Sputnik-V, të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë personave, që në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA), edhe pse për Sputnik-V ka pasur skepticizëm të madh mes dyshimeve se vaksina ende nuk ka kaluar nëpër të gjitha studimet e nevojshme klinike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.