Lajme

Greqi, kaos nga cikloni “Ksenofon”

Cikloni mesdhetar “Ksenofon”, i cili shoqërohet me erëra të fuqishme e dallgë që shkojnë deri në 10 ballë, ka shkaktuar dëme të mëdha në mjaft zona të Greqisë. Në shumë porte është ndaluar lundrimi.

Vetëm në Prefekturën e Atikës janë regjistruar qindra pemë të thyera e të shkulura nga fuqia e erës, ndërsa organet vendore urdhëruan që këtë të premte, të gjitha shkollat e kësaj prefekture të qëndrojnë të mbyllura.

Shkollat do të jenë të mbyllura edhe në ishujt e Jonit, Zakintho dhe Kefaloni, në Peloponez, si dhe në ishujt e Egjeut jugor.

Sipas parashikimeve të meteorologëve grekë, cikloni ka shumë mundësi të prekë orët në vijim një pjesë të mirë të ishujve të Greqisë jugore, midis tyre edhe Kretën, e më pas pritet që ai të ngjitet në Peloponez, i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu.

Nga mbrëmja e sotme pritet që në Greqi të arrijë edhe cikloni “Zorbas” që sipas shërbimit meteorologjik italian është transformuar në Tifon për sa u përket karakteristikave.

“Zorbas” do prekë Kretën, Jonin Jugor, Peloponezin dhe Atikën. Akoma meteorologët nuk janë në gjendje të përcaktojnë saktë itinerarin apo fuqinë e Tifonit, ndërkohë që pritet dhe takimi i “Zorbas” me “Ksenofon” me pasoja akoma të paparashikueshme.

Greqia është në një situatë emergjente. Mekanizmi shtetëror ka marrë masa për qarkullimin rrugor si dhe ndalimin e qarkullimit të anijeve dhe atij të transportit ajror. Gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj këtyre fenomeneve të tejskajshme natyrore.

 

Më Shumë