Ne rrjet

Grenell takon shqiptarët në Michigan: Përse duhet ta votoni Donald Trump

Komuniteti shqiptar në Michigan u takuan me Ambasadorin Richard Grenell, i cili shpalosi vizionin e administratës Trump për katër vjeçarin e ardhshëm.

Takimi u mbajt ditën e martë, më 20 tetor 2020, ne qytetin e Bloomfielld Hills dhe pjesë e takimit ishin edhe kandidatet republikanë, qe garojnë për në Kongres dhe në nivele të tjera të pushtetit.

Ambasadori Grenell shprehu falenderimet për angazhimin dhe punën e madhe që kanë bërë përfaqësuesit e komuniteteve shqiptare duke theksuar se votuesit shqiptarë duhet të votojnë presidentin Trump.

Grenell u përqendrua tek qasja e presidentit Trump dhe administrata e tij per bisedimet Kosovë-Serbi. Sipas ambasadorit, Administrata Trump mendon se fillimisht duhen arritur marrëveshjet ekonomike, në mënyrë që të eliminohen të gjitha pengesat dhe të krijohet ambient i përshtatshëm, për tërheqjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqënies së qytetarëve.

“Kjo do ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, deklaroi Grenell.

Ndërkohë përfaqësuesi i komunitetit shqiptar Ruzhdi Gjoka foli për angazhimin e madh të shqiptarëve republikanë për të ndihmuar Presidentin Trump, në këto zgjedhje. Ai falënderoi Presidentin dhe ambasadorin Grenell për angazhimin e tyre në bisedimet, Kosovë-Serbi dhe sidomos për ndihmën që dhanë ne krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Gjokaj njoftoi se kërkesat e komunitetit shqiptar për bisedimet Kosovë-Serbi i ishin dorëzuar me shkrim ambasadorit Grenell.

Në shtete të caktuara shqiptaro-amerikanët mund të ndikojnë tek rezultati i votimeve, edhe pse ata nuk paraqiten si një bllok i vetëm në favor të një kandidati të caktuar.

Të dy kandidatët janë angazhuar personalisht në çështje që lidhen me shqiptarët, Presidenti Donald Trump duke sjellë në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa rivali i tij demokrat, ish-nënpresidenti Joe Biden duke u kujtuar atyre se ka një vizion pro Shqipërisë dhe Kosovës.

Për republikanët e Michinganit, rizgjedhja e zotit Trump është pozitive për Ballkanin, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.

Këtë muaj, një grup aktivistësh të njohur shqiptaro-amerikanë në SHBA u bashkuan për të mbështetur publikisht kandidatin demokrat Joe Biden për President. Disa prej tyre janë të angazhuar në fushatë, të tjerë kanë dekada punë patriotike në këtë komunitet, e disa i përkasin një brezi më të ri, të rritur e arsimuar në SHBA:

Të gjitha grupet e shqiptaro-amerikanët, qoftë pro Biden ose pro Trump janë përqendruar në shtete të tilla si Miçigani, që mund të jenë vendimtare për zgjedhjet.  Komuniteti shqiptar është i vogël, por për shkak të shpërndarjes gjeografike ka vota në shtete kyçe, aty ku përcaktohet rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Shtetet e lëkundura në zgjedhjet e vitit 2020
Mbi 10 shtete konsiderohen vazhdimisht të lëkundura sepse kanë pasur vazhdimisht garë të ngushtë në zgjedhjet e fundit presidenciale. Gjashtë prej tyre shihen si më të rëndësishmet në vitin 2020, sepse popullsia e tyre e madhe u jep më shumë vota elektorale. Ato janë Arizona, Florida, Miçigani, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Uiskonsin. Presidenti Trump fitoi në këto gjashtë shtete në 2016 me një diferencë fare të ngushtë, në disa raste më pak se një për qind, por sondazhet aktualisht tregojnë një epërsi të vogël për zotin Biden në të gjashta këto shtete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë