Politike

Greminger: OSBE mundet vetëm të lehtësojë dialogun për krizën

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger është shprehur se OSBE mund të lehtësojë dialogun për zgjidhjen e krizës politike. Në një konferencë me ministrin në Detyrë të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, Greminger tha se ajo që nuk mund të bëjë OSBE është të marrë vendime politike.
“U kam thënë të gjithë bashkëbiseduesve të mi se çfarë OSBE mund dhe nuk mund të bëjë. OSBE në thelb mund të bëjë tri gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE-së angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht”, është shprehur ndër të tjera Greminger.
Ndërkohë, e njëjta gjë u deklarua edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.
“Me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së kemi diskutuar për ndihmën që mund të japë OSBE. Në rolin që ka OSBE për t’’u kujtuar vendeve anëtare për standardet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor. Së dyti në ofrimin e ekspertizës dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar nga BE për t’i dhënë fund krizës politike”, u shpreh kryedemokrati Lulzim Basha.
Duke folur për mediat, ndër të tjera Basha tha se rruga e opozitës është e qartë duke përmendur kushtet e Bundestagut dhe kërkuar miratimin e një reforme zgjedhore që garanton lirinë e votës dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme.
“Për opozitën rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet dhe nga kushtet e Bundestagut, miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pa vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme siç është qeveria dhe kryeministri aktual”, u shpreh Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë