Njerez

Gratë në Shqipëri lindin fëmijë më pak se sa duan

covid, grua, femije, lindje , si

Gratë shqiptare dëshirojnë të lindin fëmijë më shumë se sa ia arrijnë në realitet. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, indeksi i dëshirës për të lindur fëmijë, “ Wanted fertility rate”, ishte 1,6 fëmijë për grua në vitin 2018, ndërsa sipas INSTAT lindjet reale ishin 1,37 fëmijë për grua në të njëjtin vit.

Hendeku ndërmjet dëshirës për të pasur fëmijë dhe lindjeve reale përfaqëson mungesën e mundësive ekonomike për të zgjeruar familjen, pohojnë ekspertët e INSTAT.

Por studimet e brendshme kanë gjetur disbalanca të mëdha ndërmjet meshkujve dhe femrave për të pasur fëmijë. Vitin e kaluar INSTAT nëpërmjet anketës Demografike të Shëndetit gjeti se në mesin burrave të moshës 15-49 vjeç pa fëmijë, 42% prej tyre nuk duan të kenë fëmijë, krahasuar me vetëm 4% të grave. Gati gjysma e burrave në moshën e artë të riprodhimit nuk duhen të kenë fëmijë.

Kjo dëshirë e lartë  meshkujve të rritur për tu mos u bërë prindër i përkeqëson më tej projeksionet e lindshmërisë.

Në Shqipëri, indeksi i fertilitetit ishte 6.8 lindje për grua në vitet 1960, ky raport ra në 2.1 lindje për grua në vitin 2001 dhe në 1.7 në vitin 2011, për të rënë në 1.37 fëmijë për vitin 2018. Ky nivel është me i ulët se mesatarja e fertilitetit ne Bashkimin Europian që për vitin 2018 ishte ishin 1.55.

Shqipëria u rendit ndër 7 vendet më normën më të ulët të lindshmërisë në Europë për vitin 2018, duke lënë pas vetëm Greqinë, Qipron, Italinë, Spanjën, Maltën dhe Ukrainën, sipas të dhënave të Eurostat.

Norma e fertilitetit në Shqipëri është e dyta e u ulëta nga vendet e tjera në Ballkan, me 1.37 lindje për grua, në raport me 1.42 në Maqedoninë e Veriut, 1.76 në Mal të Zi, 1.49 në Serbi. Më e ulëta, kjo normë është në Bosnjë Hercegovinë, me 1.3 lindje për një grua, ndërsa më e larta është në Kosovë, me 1.65.

Shqipëria ka ende një popullsi të re, me 17.2% të totalit që janë në moshën nën 15 vjeç, kundrejt 16.4% në Maqedoninë e Veriut, 18% në Mal të Zi, 14.3% në Serbi, dhe 16.4% në Bosnjë. Por, popullsia më e re është në Kosovë, me 24.4% të popullsisë totale.

Rënia e lindshmërisë poshtë normës së zëvendësimit të popullsisë kudo në Europë sinjalizon rënien e popullsisë përgjatë dekadave dhe plakjen e shpejtë. Kontinenti për ketë arsye po vuan plotësimin e nevojave të tregut të punës. Kërkesa për punë e nxitur nga faktori demografik do të krijojë kushtet për një rrjedhë të sigurte emigracioni edhe nga vendet në zhvillim të tilla si Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë