Njerez

Gratë në Shqipëri, diskriminim për titujt e pronësisë

Katër vjet më parë Dita i dha fund martesës së saj për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve të vazhdueshme.

Ajo ishte 34 vjeç dhe nënë e një djali 7 vjeçar. Tashmë, edhe pse e ndarë nga bashkëshorti i saj, Dita duhet të përballet me një sërë peripecish, në lidhje me pronësinë e shtëpisë ku banon.

“Shtëpia ku jetoj ka qenë e ish-bashkëshortit tim, por pas divorcit unë nuk kisha ku të shkoja dhe vazhdova të jetoj atje bashkë me djalin. Prej tre vitesh ish burri im është larguar në Gjermani, ndërkohë që ish-vjehrri kërkon që unë të mos jetoj më në apartamentin, që sipas tij nuk më takon dhe ka hapur proces gjyqësor për këtë” rrëfen ajo për gazetën “Si”.

Rasti i Ditës nuk është një rast i veçuar në vendin tonë. Në mënyrë të ngjashme me të, në Shqipëri janë të shumta gratë dhe vajzat, të cilat përballen me vështirësi kur bëhet fjalë për të drejtat e tyre mbi pronën familjare.

I tillë është edhe rasti i Nelës nga një fshat i Korçës. Ajo tregon se ata janë tre fëmijë në familje, por babai nuk e ka ndarë tokën për ta në mënyrë të barabartë.

“Babi i ka lënë vëllait trefishin e tokës, ndërsa mua dhe motrës na ka dhënë vetëm diçka sa për t’u quajtur. Edhe ai, edhe mamaja mendojnë se kanë vepruar drejt e madje na kanë bërë ‘nder’, sepse sipas tyre ‘djali është i shtëpisë’, kurse çupa është e botës”, -tregon Nela.

Hendeku gjinor në titujt e pronësisë

Edhe pse ligjet në Shqipëri e garantojnë të drejtën e pronës për gratë dhe vajzat, ato nuk zbatohen gjithmonë. Nga ana tjetër, edhe tradita u jep përparësi djemve në raport me vajzat përsa i përket trashëgimisë së pronës familjare.

Një diferencim i tillë i bën gratë të varura ekonomikisht nga bashkëshorti, gjë që e bën shumë të vështirë për to të divorcohen në raste kur është e nevojshme të ndërmarrin një hap të tillë.

Pavarësisht progresit të bërë gjatë dekadave të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë si një vend, ku gratë dhe vajzat përballen me pabarazi, hendek në paga, dhunë gjinore, diskriminim dhe stereotipe në tregun e punës.

“Sfida shtesë me të cilat gratë përballen për fuqizimin e tyre ekonomik ka të bëjë me të drejtat e pronësisë. Realiteti është që 80 përqind e titujve të pronësisë i kanë kryesisht baballarët, bashkëshortët, vëllezërit. Kjo ka gjithashtu ndikim në ngritjen dhe çeljen e nismave të biznesit nga gratë, por ka gjithashtu impakt edhe në aksesin ndaj kredive.  Këta janë tregues ku ende shohim hendek ndërmjet burrave dhe grave dhe që nuk po ndryshon”, - shprehet për gazetën “Si”, drejtuesi i UN Ëomen për Shqipërinë, Michele Ribotta.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që politikat e ardhshme, investimet dhe veprimet të përqendrohen në krijimin dhe sigurimin e punëve të denja për gratë, duke mbështetur gjithashtu bizneset e drejtuara nga gratë, trajnimin e tyre, si dhe aksesin në kredi.

“Është shumë e rëndësishme, që të punohet në aspektet e normave gjinore dhe fuqizimit ekonomik, por edhe duke punuar me djemtë dhe burrat, që ata të kuptojnë që mund kontribuojnë dhe duhet të kontribuojnë më tepër në këtë drejtim”, thotë ai.

Në Shqipëri, sipas ekspertëve të fushës, shpesh, gruaja kufizohet përsa i përket të drejtës së trashëgimisë, sepse në shumë raste prona e paluajtshme është regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ose të kryefamiljarit.

Por krahas këtij problemi, edhe mentaliteti shoqëror dhe stereotipet gjinore ndikojnë po ashtu.  Jo në pak raste, vajzat e familjes heqin dorë nga pjesa që trashëgojnë për t’ua kaluar pjesën e tyre vëllezërve apo meshkujve të familjes.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit ngjan se një pjesë e vajzave dhe grave janë ndërgjegjësuar më tepër për të drejtat e tyre pronësore dhe kjo reflektohet edhe në shtimin e çështjeve gjyqësore për këtë arsye.

Në Gjykatën e Tiranës gjatë vitit 2020 janë zhvilluar 350 gjyqe për ndarje pasurie prej të cilave 113 kanë pasur në fokus ndarjen e pasurisë bashkëshortore pas divorcit, një shifër kjo më e lartë, krahasuar me 2019-ën.

Jo pak herë nënshkruajnë dhe akte noterie për çështje pronësie, duke mos e ditur se pse e bëjnë diçka të tillë.

Të drejtat e pronësisë fitohen përmes dhurimeve, trashëgimisë dhe blerjes së pronës, por edhe nga martesa.  Çdo pasuri e fituar gjatë martesës nëse nuk është individuale bëhet e përbashkët edhe nëse një nga palët nuk ka kontribuar në fitimin e saj. Sipas kodit të familjes gruaja ka të drejtën e gjysmës së pasurisë të luajtshme apo të paluajtshme të fituar gjatë martesës.

Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pronësia mbi pasuritë private të paluajtshme dhe të luajtshme të regjistruara në vendin tonë është në mbi 80 përqind ta rasteve në emër të burrave. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë