Financa Personale

Gratë fasone kryeministrit: Nga kriza e pandemisë, nuk po marrim as pagën minimale

Një grup punonjësosh në fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve i janë drejtuar kryemiistrit Edi Rama për ti kërkuar ndihmë financiare për sektorin.

Në letër punonjëset e fabrikave deklarojnë se për shkak të krizës atyre u është ulur paga dhe nuk arrijnë të shpien në shtëpi as të ardhurën minimale mujore sipas ligjit.

“Pandemia ka sjellë probleme në shumë drejtime, por tek ne më shumë se tek kushdo tjetër ajo ka ndikuar drejtëpërsërdrejti në: Humbjen e vendit të punës e për rrjedhojë mbrojtjen sociale që ofronte paga që merrnim. Pagesa në bazë të orëve të shkurtura të punës. Përgjatë marsit-qershor, 2020 ne nuk kemi mundur të marrim paga të plota, por pagesa që shkonin nga 10000 – 20000 lekë maksimumi. Por në këtë mënyrë ne nuk e mbajmë dot familjen tonë, nuk i ushqejmë dot si duhet fëmijët tanë. Gjithë kjo ka krijuar vonesa në pagesat e qerave të shtëpive dhe të kredive bankare. Disa prej nesh u kanë ndërprerë fëmijëve shkollimin, pasi u duhet të shohin për mundësi punësimi. Pamjaftueshmëria për të siguruar gjërat më bazike që lidhen ngushtë mae mbijetesën. Ndjejmë pasiguria për të nesërmen.”- shkruhet në letrën drejtuar kreut të qeverisë.

Ndërsa ne po përpiqeshim të organizoheshim për të përmirësuar kushtet e punës, citohet në letër, tani po përballemi me sfidën e madhe të humbjes së vendit të punës.

Në disa fabrika kushtet e punës janë të vështira, përshkruajnë punonjëset fason, shpesh ka mungesë të kontratave si dhe presion të vazhdueshëm psikologjik I cili shtohet edhe nga hallet e mëdha familjare. “Shumë prej nesh kanë hyrë në kredi bankare që po na mbysin pasi përballimi i jetesës në ditët e sotme është mjaft i vështirë.”- shkruhet në letër.

Punonjëset kërkojnë nga qeveria që ti ndihmojë për mbajtjen e vendit të punës duke u ulur me pronarët e bizneseve ku ato punojnë dhe të gjejë zgjidhje që fabrikat të mos mbyllen.

“Siguri që të marrim pagën e denjë për djersën tonë. Mundësi për rritjen e pagesave të ndihmës ekonomike për rastet kur ne dalim të papuna, si dhe të shpjegohet dhe qartësohet se si ne mund të përfitojmë pagesën e papunësisë. Mbrojtje sociale e shëndetësore për kontributet që ne kemi derdhur. Në pritje që kërkesat tona të realizohen, do të kërkonim që ju të organizonit një takim me bizneset e këtij sektori, ku dhe ne të dërgonim një grup përfaqësuesish.”- shkruhet në letër.

Sektori fason është një ndër më të goditurit e ekonomisë së vendit për shkak të pandemisë.

Këtë e konfirmojnë vetë përfaqësuesit e bizneseve të cilët deklarojnë se 2021 është plot pasiguri për punën, pagat dhe mbrojtjen sociale për punonjësit, e si rrjedhojë për vazhdimësinë e biznesit për shkak të mbylljeve të pjesshme dhe të plota të lëvizjeve në vendet ku këto biznese kanë partnerët tregtarë.

Ata bëjnë me dije se kanë larguar nga puna shumë punonjës sepse e kanë të pamundur të mbajnë forcën e punës sic ishte më parë. Kjo vjen nga rënia e porosive dhe pasiguritë e tregjeve botërore lidhur me zgjatjen e pandemisë, të cila zbehin shpresat për përmirësim edhe gjatë këtij viti.

Të dhënat më të fundit të INSTAT për tregtinë e jashtme tregojnë se eksporti i tekstileve dhe këpucëve  u ul gjatë janarit me dy pikë përqindjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë